E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vrasjet me pagesë, jo më nga profesionistë, por nga amatorë! Gabimet e një krimi të parë zbuluan organizatorët, jo porositësit
Lajme

Vrasjet me pagesë, jo më nga profesionistë, por nga amatorë! Gabimet e një krimi të parë zbuluan organizatorët, jo porositësit

 

Vetë etiketimi i ngjarjes si “vrasje me pagesë”, tregonte për një krim të sofistikuar, të menduar deri në detaje dhe që për Policinë në shumë raste ishin të pamundura të zbardheshin.

Madje edhe kur ekzistonin dyshimet e arsyeshme për një person, i cili shoqërohej, ndalohej, madje edhe arrestohet pasi dyshohej se ishte paguar për të kryer një vrasje, shumë shpejt ai fitonte lirinë, në mungesë të provave.

Ndërsa sot, duket se gjithçka ka ndryshuar. Edhe ata që nuk kanë prekur kurrë më parë një armë zjarri me dorë, po kthehen në vrasës me pagesë. Disa për shkak të kushteve të vështira ekonomike, që edhe për shuma modeste, pranojnë t’i marrin jetën dikujt e disa të tjerë, duket se pranojnë edhe për të përmirësuar mënyrën e jetesës.

Kështu ishte rasti i fundit, që për vrasjen e Behar Sofisë, Ernejt Shytit i ishin premtuar 50 mijë euro. Kaq vetëm atij, pa llogaritur sa do paguheshin 3 personat e tjerë të përfshirë në organizimin e këtij krimi.

E megjithatë, 24-vjeçari nuk i mori asnjëherë paratë, ndonëse arriti të eliminonte “objektivin”. Por, mungesa e “profesionalizmit”, çoi në identifikimin e tij e më pas edhe në arrestimin.

PROVAT

Në krime të organizuara më parë dhe që janë arkivuar si “pa autor”, vrasësit me pagesë përshkruhen si gjakftohtë, me lëvizje të mirëmenduara, që “zhdukin” provat dhe kujdesen që të mos shfaqen me fytyrë.

Zgjedhin të realizojnë vrasjen në vende ku nuk ka kamera sigurie, nuk ka dëshmitarë dhe e kanë më të lehtë për t’u larguar. Në rastin e Behar Sofisë nuk ndodhi kështu. Në ditët e para kur ndodhi ngjarja, menduam se 66-vjeçari u vra në atë vend, në mes të ditës dhe në një formë të tillë, si veprim demonstrativ, për të përçuar një mesazh diku.

Por tashmë që ekzekutori është arrestuar dhe mbi të gjitha është rrëfyer, duket se këto rrethana ishin thjesht të rastësishme. Ngjarja ndodhi në atë formë dhe u zbulua shumë shpejt, sigurisht nga veprimet profesionale dhe hetimi shumë i shpejt i Policisë e Prokurorisë, por edhe nga “gabimet” e një vrasësi me pagesë “amator”.

Një vrasësi me pagesë, që ndonëse nuk e di se kush është personi, apo edhe personat që e donin të vdekur Behar Sofinë, madje edhe atë që e organizoi vrasjen e njihte thjeshtë si “daja” dhe e identifikoi vetëm pasi e pa në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, është “zbërthyer” plotësisht para grupit hetimor.

Por, edhe sikur ai të mos pranonte të fliste, provat e siguruara nga grupi hetimor ishin të mjaftueshme për arrestimin e tij dhe 3 të tjerëve.

Pamjet e kamerave të sigurisë ishin të parat që ndihmuan Policinë, duke zbuluar të gjitha lëvizjet e tij. Përmes këtyre pamjeve u zbuluan provat më të rëndësishme te kodrat e Liqenit Artificial.

Edhe këto, nga veprimet amatoreske të autorit që vrasjen po e po e kishte për herë të parë, por edhe shkrepjen e armës, përveç disa qitjeve në Kërrabë, e kishte po për herë të parë.

VESHJET DHE CELULARI

Kur autori i dyshuar i vrasjes së Behar Sifisë, Ernejt Shyti, është larguar në drejtim të kodrave të Liqenit pas ngjarjes, ka lënë atje veshjen dhe celularin që ia kishte vënë në dispozicion Skënder Vathi. Në këtë celular janë gjetur dy mesazhe që Leonar Xhixha ia dërgonte personit të dyshuar Ernejt Shytit.

Përmes këtij celulari është loguar vendi ku banonte Ernejt Shyti. Ky i fundit ka dhe një vëlla binjak, i cili ka qenë i arrestuar për vjedhjen e një karburanti në vitin 2017, në fshatin Ibë të Tiranës. Në momentet e para, Policia e Tiranës ka shoqëruar vëllain e tij binjak, sepse ADN-ja e përftuar nga rrobat e gjetura te kodrat e Liqenit përkonte e përputhshme dhe me vëllain.

Ky i fundit ndodhej në zonën e Kërrabës dhe ka pranuar përpara hetuesve se përgjatë ditëve të fundit ai ndodhej te babai i tij, sepse prindërit ishin të divorcuar dhe njëri qëndronte me nënën e tjetri me babanë.

Por, ai ka deklaruar përpara hetuesve se ishte Xhuliano Visha një person me rekorde kriminale që kishte njohje miqësore me të vëllain.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.