Vrau ish-vjehrrin, 35-vjeçari i jep fund jetës
Ka marrë fund në mënyrë tragjike ngjarja e rëndë që tronditi Roskovecin. Refit (Nertil) Buzi, 35 vjeç, i dyshuar për vrasjen e ish-vjehrrit të tij dhe plagosjen e ish-vjehrrës, i ka dhënë fund jetës pas disa orësh negociatash me forcat speciale RENEA.
35-vjeçari ishte i rrethuar nga efektivët e policisë në zonën e ish-fushës së helikopterëve, në fshatin Kurjan, ku qëndronte i ngujuar brenda automjetit të tij. Gjatë operacionit, negociatorët e policisë tentuan në disa raste ta bindnin të dorëzohej, por ai nuk pranoi.
Pas disa orësh negociatash, Buzi dyshohet se qëlloi veten me armë zjarri brenda automjetit, duke i dhënë fund jetës.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën autoambulanca dhe forca të shumta policie, ndërsa grupi hetimor po kryen veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Pritet gjithashtu një reagim zyrtar nga autoritetet për rrethanat e plota të incidentit.
Më herët gjatë ditës, 35-vjeçari dyshohet se ekzekutoi me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plaku, plagosi ish-vjehrrën, Bejlere Plaku, dhe mori me forcë ish-të fejuarën, Rozalinda Plakun.
Kjo e fundit u lirua disa orë më vonë gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë, ndërsa operacioni vijoi deri në neutralizimin e autorit të dyshuar.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe dinamikën e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



