Vuçiç: Për 150 vite nuk do të ketë asnjë problem, nëse ka marrëveshje me Kosovën
Në intervistën për emisionin Opinion, Albin Kurti e bëri të qartë se do të jetë ai që do të drejtojë dialogun nga pala Kosovare. Por si e pret këtë zhvillim, presidenti serb dhe a do të ulet ai në një tryezë me kreun e Vetëvendosjes, i cili pritet të jetë dhe kryeministri i ri i Kosovës?
Aleksandër Vuçiç duke folur për Opinion, tha se edhe më Thaçin ka qenë e vështirë por ajo që kërkon është arritja e një kompromisi. Sipas tij nëse shqiptarët nuk duan kompromis, nuk ka problem, serbët do vazhdojnë të jetojnë dhe Serbia do të ketë më shumë autoritet në bashkësinë ndërkombëtare.
“Për mua edhe ashtu ka qenë vështirë. Siç e shihni nuk kemi arritur tek rezultati. Nëse do të jetë me vështirë apo jo nuk e di, por për mua është vështirë që nuk kemi një zgjidhje të kompromisit dhe unë flas për gjëra serioze dhe jo për gjëra personale siç është ajo që Albin Kurti ka ofenduar të bijën time minorene duke e përfshirë në procese politike sepse njerëzit e ndershëm këtë nuk e bëjnë, por ta lëmë anash. Sa i përket Beogradit dhe Prishtinës, unë them që nëse nuk dëshironi kompromis nuk ka problem njerëz dhe vetëm na njoftoni dhe më thuani që nuk duam dhe ne do të themi në rregull do të vazhdojmë kështu të jetojmë, ne pak më mirë se ju, por me një autoritet më të madh se ju në bashkësinë ndërkombëtare që më vjen keq, por kjo është zgjidhja juaj me sa duket dhe nuk kam asnjë problem me këtë”.
Presidenti serb nuk jep një përgjigje se e kujt ishte ideja për shkëmbim territoresh, e atij, Hashim Thaçit apo e SHBA-ve? Teksa thekson se akuzat kundër tij bëhen për të fituar pikë në politikë, në kutitë e votimit ai merr më shumë vota.
“Realiteti pa zgjidhje është ky. Nëse ky realitet është i keq? Jo, kemi jetuar edhe në kohë më të vështira. Por, është garantues i mjaftueshëm i së ardhmes së fëmijëve tanë? Nuk është. Kjo është arsyeja përse jam për zgjidhje të kompromisit. Dhe, të gjithë kuptojnë çdo gjë, por të gjithë bëhen si të marrë nga të gjitha anët dhe këtë e kam thënë qindra herë këtu dhe asnjëherë nuk kam tërhequr asnjë fjalë, pavarësisht sulmeve të forta dhe presioneve e të gjithave”.
“Nëse serbët e shqiptarët bien dakord, çfarë i intereson dikujt tjetër”. Kështu insiston presidenti serb, Aleksandër Vuçiç në lidhje me një marrëveshje me Kosovën.

Sipas tij, nëse serbët dhe shqiptarët i rregullojnë marrëdhëniet, një herë e përgjithmonë si dy popujt më të mëdhenj në Ballkan, në 150 vitet e ardhshme nuk do të ketë asnjë lloj problemi.
“Ju thoni ne jemi një shtet i konsoliduar, por duhet të silleni nëpër holle e korridore me leje të veçanta dhe ftesa që të gjeni dikë nëpër Kombet e Bashkuara. Nuk mund të hyni në Interpol edhe tre mijë vjet. Çfarë shteti është ai që nuk ka ambasadë në Pekin, Moskë, Nju Delhi, Athinë, si?”, deklaroi Vuçiç për Opinion.
Idro Seferi: Dmth që do të kishte pas bisedimeve? Kosova ka marrë ftesë…
Aleksandër Vuçiç: Unë po ju flas nga këndi juaj, nuk po flas nga këndi im. Këndi im është i vështirë, gjithsesi, por mundohem të kem një qasje racionale dhe flas vetëm se problem është që nuk sqarohet. Njerëzit në Kosovë thonë ne kemi Amerikën dhe Amerika do ta zgjidh për ne. Përse nuk e ka zgjidhur?
Idro Seferi: Këtu thonë e kemi Rusinë…
Aleksandër Vuçiç: Nuk thonë, nga unë nuk e keni dëgjuar, unë them kemi Serbinë.
Idro Seferi: Jo nga ju, por..
Aleksandër Vuçiç: Unë them se ashtu është, por ne duhet të provojmë të biem dakord dhe njerëzit duhet ta kuptojnë realitetin dhe nuk është vështirë vetëm të mos bëhemi të verbër apo shurdhmemec. Të verbrit shohin mirë, ata që janë vërtetë të verbër dhe shumë mirë kuptojnë dhe ndjejnë. Ata që janë shurdhmemec, po flas në mënyrë metaforike, por kur bëheni që jeni të verbër dhe shurdhmemec, ajo është gjeja më e rrezikshme dhe më e keqe. Kjo dmth që ju e dini se çfarë është realiteti shumë mirë, por nuk dëshironi ta respektoni pasi nuk i leverdis interesave tuaja personale ose politike
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



