E hënë, 26 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Z.Braho: Mbro  paratë e shqiptarëve, largo Ron Yeffet nga Shqipëria
Lajme

Z.Braho: Mbro paratë e shqiptarëve, largo Ron Yeffet nga Shqipëria

Letër e hapur kreut të SPAK-ut, Klodian Braho

Naim Noka

I nderuar zoti Klodian Braho,

Sot keni përpara një provë vendimtare: të mbroni paratë e shqiptarëve dhe të hetoni pa vonesë Ron Yeffet-in, veprimtarinë e kompanive të lidhura me të dhe marrëdhëniet e tij me nivelet më të larta të qeverisë.

Nëse materialet e bëra publike provojnë përfshirje në trafik ndërkombëtar armësh, tendera të manipuluar apo përdorim të institucioneve shtetërore për interesa private, SPAK-u duhet të kërkojë menjëherë masat ligjore që pengojnë largimin e personave nën hetim, zhdukjen e provave dhe vijimin e veprimtarisë së dyshuar kriminale.

Ky mund të jetë rasti i artë për të ndalur një skemë që po vjedh paratë e taksapaguesve, jo me armë në dorë, por me letra të firmosura mbi tavolinat e shtetit.

Një lajm i arnuar për Ballukun u hodh në qarkullim pikërisht kur vëmendja publike është përqendruar te përgjimet e publikuara dhe te pretendimet tronditëse për Ron Yeffet-in, Sergein, Igorin, Tatianën, Anastasian dhe punët e dyshuara që, sipas materialeve të publikuara, u janë kërkuar nga përfaqësues të qeverisë.

Përse pikërisht sot?

Kur nga Brukseli erdhën përgjime ku një i pandehur për trafik droge pretendonte se kryeministri kishte “pjesën e tij”, Edi Rama dorëzoi politikisht, me marrëveshje, Ergys Agasin.

Tani, pas deklarimeve të Arben Ahmetajt dhe publikimit të materialeve të tjera, u shty ose u anulua ceremonia për kalimin e Uzinës “Dinamo” te kompania shtetërore KAYO.

Prokurorë të SPAK-ut njoftuan se do të merrnin materialet e intervistës dhe përgjimet për çështjen “Ron”.

Vetëm kaq?

Pse nuk u sekuestrua dokumentacioni përkatës në Ministrinë e Mbrojtjes?

Pse nuk u kontrollua zyra e ministrit Ermal Nufi dhe zinxhiri administrativ që ka firmosur ose miratuar procedurat?

A u kërkuan në Kryeministri praktikat, komunikimet dhe vendimmarrjet që lidhen me Ron Yeffet-in, kompanitë e tij dhe projektet e industrisë ushtarake?

Përse nuk u sekuestrua dokumentacioni për kompaninë tjetër që pretendohet se i është dhënë Sani Sanilevich-it, përmes së cilës dyshohet se synohet kalimi i fondeve të shëndetësisë në duar private?

Sot SPAK-u duhej të kishte njoftuar nisjen e hetimeve kryesisht për Ron Yeffet-in dhe bashkëpunëtorët e tij, për ministrin Ermal Nufi dhe për çdo zyrtar tjetër që del në dokumente ose komunikime. Në qendër të verifikimeve duhet të jetë edhe kryeministri Edi Rama, nëse provohet se vendimmarrjet janë marrë me dijeninë, porosinë ose mbështetjen e tij.

Kjo ishte ndërhyrja urgjente që pritej nga Prokuroria e Posaçme sot.

Ka kohë që SPAK-u duket si një zyrë juridike e Partisë Socialiste, e cila menaxhon lajmet sipas nevojave politike të Edi Ramës. Në vend të një reagimi të plotë për çështjen “Ron”, publikut iu servir lajmi për një vilë të pretenduar të Ballukut dhe shtimin e disa akuzave ndaj saj.

Ne i dimë të gjitha proceset hetimore që kanë mbetur rrugëve. Një e nga një, po dalin të lirë të arrestuarit me bujë. Kanë mbetur vetëm Ilir Meta dhe Erion Veliaj. Asgjë për Tunelin e Llogarasë, as për rrugën Thumanë–Kashar, as për Aeroportin e Vlorës, as për dy tigrat, TEC-et lundruese të Vlorës; asgjë për Rrugën e Arbrit dhe qindra milionë eurot e paguara.

Po Bankers Petroleum, që vijon të vjedhë me fatura fiktive? Po inceneratorët dhe tenderët në sektorin e energjisë? Po projekti “Smart City”? Po skandali në Portin e Durrësit? Po Porto Romano dhe investimet strategjike?

Përse SPAK-u hesht për këtë batërdi miliardash?

Sot BKH-ja duhet të kishte mbledhur prova për trafikun e dyshuar të armëve. Në një nga përgjimet e publikuara, Ron Yeffet-i pretendohet se thotë: “Edi Rama, qeveria, na ka ngarkuar të bëjmë punë të këqija.”

Çfarë po prisni, zoti Braho?!

Dy-tri prokurorë duhet të kishin nisur identifikimin e autorëve të komunikimit, të kishin verifikuar autenticitetin e regjistrimeve, të kishin sekuestruar dokumentet, të kishin kontrolluar transaksionet, të kishin zbuluar pronarët përfitues dhe të kishin përcaktuar rolin e çdo ministri, zyrtari apo biznesmeni.

Çdo vonesë është flori për personat e dyshuar. Si gjithmonë, do të ndërhyhet në prova, do të koordinohen dëshmitë, do të transferohen para dhe personat e dyshuar do të largohen nga Shqipëria.

Nëse prokurorët, pasi janë njohur me indiciet për vepra të rënda penale, nuk veprojnë dhe lejojnë dëmtimin ose zhdukjen e provave, atëherë duhet të hetohet edhe përgjegjësia e tyre ligjore.

Nëse provat e justifikojnë, SPAK-u duhet t’i kërkojë Kuvendit autorizim për masat ndaj çdo deputeti apo ministri të përfshirë. Nëse hetimi prek drejtpërdrejt kryeministrin, ligji duhet të zbatohet edhe ndaj tij. Askush nuk mund të ketë imunitet politik përballë dyshimeve për trafik ndërkombëtar armësh, korrupsion madhor dhe kapje të pasurive publike.

Balluku nuk mund të përdoret si perde për të mbuluar çështjen “Ron”, rolin e Nufit dhe përgjegjësinë e mundshme të Ramës.

Zoti Braho,

SPAK-u duhet të vendosë nëse do të mbrojë shtetin dhe paratë e qytetarëve apo do të vazhdojë të prodhojë lajme të kontrolluara për t’i dhënë kohë pushtetit.

Mos e lini Ron Yeffet-in të largohet pa u hetuar. Sekuestroni dokumentet. Ndiqni paratë dhe verifikoni përgjimet. Hetoni kontratat dhe identifikoni urdhëruesit dhe përfituesit.

Pavarësia e SPAK-ut nuk provohet me deklarata dhe operacione mediatike. Provohet duke hetuar pushtetin atje ku dyshohet se po trafikigen armë, miliardat dhe urdhrat politikë.

Përndryshe, SPAK-u nuk desgi të ndalte grabitjen e milona eurove nga taksat e pupullit më të varfër në Europë.

Zoti Braho, bëjini një nder atdheut: na e largoni Ron Yeffet-in nga Shqipëria, së bashku me ortaken dhe të dashurën e tij, Arjeta Puca. Kështu minimumi do të shpëtoni qindra milionë euro për pensionistët dhe të sëmurët e Onkologjikut.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.