Zbardhet dëshmia e shoferit që shkaktoi tragjedinë në Durrës
“Një birrë kisha pirë në mëngjes”
Zbardhen detaje të reja nga aksidenti tragjik i ndodhur më 3 maj në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos një tjetër. Në fokus është dëshmia e 57-vjeçarit Nikoll Radiçi, drejtuesi i automjetit të përfshirë në ngjarje, dhënë përpara oficerëve të policisë.
Sipas rrëfimit të tij, gjithçka ka ndodhur brenda pak çastesh, teksa ishte duke lëvizur me automjetin në një rrugë lagjeje.
“Rreth orës 14:00 dola nga shtëpia bashkë me mjetin dhe do shkoja të merrja një vegël pune te një shoku im. Unë po drejtoja automjetin në korsinë e djathtë dhe papritur në një rrugicë lagjeje doli një automjet. Unë devijova për të shmangur këtë automjet dhe kam përfunduar sipër trotuarit të anës së majtë të rrugës. Pasi hipa në trotuar jam përfshirë në aksident me disa fëmijë që ndodheshin dhe kam shkuar disa metra më përpara. Unë dola nga makina dhe kam shkuar tek një dyqan aty pranë ku punonjësve të dyqanit ju kam thënë të njoftojnë policinë pasi kam bërë aksident. Unë kam qëndruar tek dyqani deri sa erdhi policia dhe më mori për në komisariat”, ka deklaruar ai.
Në vijim të marrjes në pyetje, drejtuesi i mjetit është përballur me disa pyetje të drejtpërdrejta nga hetuesit:
Pyetje: Ju pretendoni që automjeti ju ka ndërprerë rrugën, a ju kujtohet ndonjë detaj në lidhje me këtë mjet?
Përgjigje: Për momentin nuk më kujtohet asnjë detaj.
Pyetje: A i njeh fëmijët me të cilët jeni përfshirë në aksident?
Përgjigje: Jo nuk i njoh.
Pyetje: Me çfarë shpejtësie keni qenë në momentin e aksidentit?
Përgjigje: Unë kam qenë me rreth 30 km/h.
Një element i rëndësishëm i hetimit lidhet me testin e alkoolit, i kryer menjëherë pas ngjarjes:
Pyetje: Në zbatim të procedurës standarde ju është bërë testi i alkoolit, i cili ka rezultuar në masën 0.73 mg/l testi i parë dhe 0.70 mg/l testi i dytë. A keni konsumuar alkool përpara se të drejtonit automjetin?
Përgjigje: Përpara se të drejtoja automjetin unë kam pirë një birrë në mëngjes.
Në përfundim të dëshmisë së tij, 57-vjeçari ka theksuar se nuk ka asgjë tjetër për të shtuar:
Pyetje: A keni gjë tjetër për të shtuar?
Përgjigje: Gjë tjetër nuk kam për të shtuar, sa më sipër janë thëniet e mia të cilat pasi i gjej të shkruajtura drejt, i firmos pa vërejtje.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të verifikuar çdo detaj që mund të çojë në një pasqyrë të plotë të ngjarjes së rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



