Zbardhet udhëzimi i Kryeprokurorit Olsian Çela, çfarë kërkohet
Një seksion i posaçëm për hetimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit pritet të ngrihet në çdo institucion të prokurorisë në rrethe.
Në një udhëzim të bërë më datë 17 korrik 2020 nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, thuhet se prokuroritë e çdo qyteti përkatës kanë afat deri ditën e sotme për të krijuar këtë seksion të posaçëm, ndërsa puna e tyre pritet të nisë më datë 1 shtator të këtij viti. Sipas udhëzimit, nëse nuk arrihet që të mos krijohet ky seksion brenda një prokurorie, si pjesë e saj do të zgjidhet prokurori më i vjetër në institucion, i cili do të duhet të hetojë veprat penale të krimeve financiare, pastrimin e parave apo edhe financimin e terrorizmit. Me herët kujtojmë që këto vepra penale ishin në juridiksionin e ishProkurorisë së Krimeve të Rënda, por ky institucion tashmë nuk ekziston më. Me kalimin në rrethe dhe nga nevoja e hetimit të pastrimit të parave si një problem që e kanë ngritur edhe ndërkombëtarët, Kryeprokurori udhëzon ngritjen e këtij seksioni hetimi brenda çdo prokurorie në rrethe. Ky seksion i posaçëm do të raportojë periodikisht procedimet kryesisht për veprat penale të sipërpërmendura.
HETIMI
Në udhëzim thuhet se në seksionin e posaçëm ose prokurorët e caktuar në prokuroritë ku nuk mund të ngrihen seksione në ushtrim të ndjekjes penale për veprat penale të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimeve financiare, duhet të tregojnë vëmendje të veçantë në rastet e sipërcituara dhe jo vetëm.
Në të gjitha procedimet penale të regjistruara prokurorët e seksionit vlerësojnë kryerjen e hetimeve paralele financiare me qëllim sekuestrimin dhe konfiskimin e produkteve të veprës penale sipas parashikimeve të nenit 36 të Kodit Penal. Në çdo rast të kryerjes së hetimeve financiare, prokurori kur vlerëson se ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore, i kërkon gjykatës sekuestro preventive të produkteve të veprës penale.
Për sa i përket hetimit pasuror, Policia Gjyqësore e shërbimeve në strukturat hetimore të posaçme në Policinë e Shtetit, me marrjen dijeni për masat parandaluese, kryen pa vonesë verifikimet paraprake për personat dhe pasuritë.
Oficeri i Policisë Gjyqësore i shërbimeve në strukturat hetimore të posaçme në Policinë e Shtetit brenda tre muajve nga marrja dijeni përfundon verifikimin paraprak për masat parandaluese kundër pasurisë dhe pas konsultimit / verifikimit paraprak të materialit me prokurorin, referon në prokurori materialin me verifikimet paraprake të kryera për personat dhe pasuritë që përmban të dhëna, indicie dhe akte / dokumente që evidentojnë elementet thelbësore të faktit për zbatim të këtij ligji, ose mungesën e pasurive të rezultuar nga verifikimi paraprak.
Prokurori, brenda 15 ditësh nga regjistrimi i materialit të verifikimit paraprak të Policisë Gjyqësore, bazuar në aktet e referuara, verifikon dhe vlerëson ekzistencën e elementeve thelbësore të faktit dhe kushteve e kritereve ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



