E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zbardhet vendimi i Apelit të GJKKO-së  për Veliajn
Lajme

Zbardhet vendimi i Apelit të GJKKO-së për Veliajn

Në vendimin e arsyetuar prej 144 faqesh të gjyqtarit të Apelit të Posaçëm, Engert Pellumbi, i cili firmosi për të lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bie në sy një moment që duket se rëndon pozitën ligjore të të zgjedhurit vendor.

Pasi rendit arsyet pse Veliaj duhet të qëndrojë në kushtet e izolimit – duke theksuar se për shkak të detyrës si kryebashkiak, pushtetit që ka dhe lidhjeve të fuqishme, ekziston rreziku të pengojë ose të vërë në rrezik marrjen e provave, të frikësojë dëshmitarët apo të ndikojë në procesin hetimor – gjyqtari shkon edhe më tej në analizën e tij. Engert Pellumbi ka ngritur dyshime për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal.

Teksa analizon bashkëpunimin mes Erion Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe biznesmenit Elman Abule, gjykata ngre dyshime për ekzistencën e një grupi kriminal. “Gjykata vëren se bashkëpunimi i personave nën hetim – Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe Elman Abule – ka tiparet e një bashkëpunimi të posaçëm, atij të grupit të strukturuar kriminal, duke qenë se përmbushen kriteret e pluralitetit të personave (3 persona), kryerjes së veprimtarisë kriminale për qëllim përfitimi material (pastrimi i produkteve të veprës penale të korrupsionit), si dhe moskrijimit të grupit rastësisht (kryerja e veprimtarisë kriminale në mënyrë të përsëritur dhe për një kohë të gjatë), pavarësisht se një formë e tillë bashkëpunimi nuk i është atribuuar ende këtyre personave në hetim”, thekson gjykata.

Për rrjedhojë – vijon gjyqtari – ky aspekt nuk është marrë në konsideratë gjatë caktimit të llojit të masës së sigurimit ndaj të dyshuarit Erion Veliaj. Por në të ardhmen, gjyqtari paraprak i çështjes, teksa kontrollon hetimet, mund të orientojë SPAK që ta hetojë kryebashkiakun për grup të strukturuar kriminal. Erion Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe gjashtë biznesmenë të tjerë po hetohen nga SPAK për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.