Zbulohet e shkuara problematike e 25-vjeçarit që i bënë atentat në Shkodër: Në vitin 2016 tentoi të…
Një atentat me armë zjarri u regjistrua mbrëmjen e shkuar në qytetin e Shkodrës, fatmirësisht pa pasoja në njerëz.
Në shënjestër ishte një 25-vjeçar, me precedentë të mëparshëm penalë. Policia e Shkodrës tha se ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 minuta, kur automjeti tip “Audi”, i drejtuar nga shtetasi Alban Bruçi, është qëlluar me armë zjarri. Fatmirësisht, asnjë nga plumbat nuk e ka prekur atë.
Të paktën 19 gëzhoja janë gjetur në vendin e ngjarjes. Ngjarja ka ndodhur pranë banesës së tij, ndërsa shenjat e plumbave janë në njërin prej xhamave. “Rreth orës 21:30, shtetasi A. B., 25 vjeç, ka kallëzuar se, në lagjen ‘Partizani’, Shkodër është qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit tip ‘Audi’.
Nga të shtënat nuk ka persona të dëmtuar”, sqaroi Policia. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli edhe në zonën përreth, me qëllim kapjen e autorit/ëve.
E SHKUARA E SHËNJESTRËS
Alban Bruçi, ndaj të cilit u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e shkuar, rezulton i përfshirë në një ngjarje kriminale vite më parë. I riu, u arrestua nga Policia e Shkodrës më 4 korrik të vitit 2016. Ngjarja për të cilën akuzohej i riu ka ndodhur më 1 prill të atij viti në lagjen “Vojo Kushi” pas teatrit “Migjeni”. I riu qëlloi me armë në drejtim të shtetasit me iniciale A.J, i cili po udhëtonte me një automjet. Bruçi akuzohet për vrasje me dashje e mbetur në tentativë. Ne 1 prill, ngjarja që terrorizoi banorët e zonës ka ndodhur në afërsi të teatrit “Migjeni”, ndërsa fatmirësisht nuk pati të lënduar. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes treguan se kishin qenë 2 automjete. Njëra nga makinat kishte qenë në ecje kur një person ka qëlluar me kallashnikov nga dritarja e pasagjerit në drejtim të automjetit tjetër të parkuar në rrugë ku brenda po qëndronin disa persona, të cilët mendohet se i janë përgjigjur me armë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



