Zbulohet plani dixhital i Benet Becit për të larë imazhin
Kur drejtësia troket, ndizet propaganda
Benet Beci, kryebashkiaku i Shkodrës dhe një nga figurat e rëndësishme të mazhorancës, është tashmë zyrtarisht nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme. Hetimi ndaj tij lidhet me kohën kur drejtonte Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), periudhë në të cilën dyshohet për shkelje të barazisë në tendera me vlerë rreth 700 mijë euro.
Emri i Becit është përmendur në komunikime të zbardhura nga hetimi mbi ish-drejtorin Ergys Verdho, ku flitet për ndarje fiktive të fondeve në projektet e KESH-it: “500 mijë për profesorët e Harvardit, 320 mijë për ne me dy klasë shkollë”, thuhet në një prej bisedave të përgjuara.

Megjithëse nën hetim, Beci duket se ka zgjedhur të reagojë jo me sqarime ligjore, por me… propagandë vizuale.
Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga VoxNews, Bashkia e Shkodrës ka hapur një tender të ri për prodhimin e videove promovuese dhe fushata marketingu online, me qëllim “pasqyrimin e punëve të mbaruara gjatë dy viteve të fundit”.
Në përshkrimin teknik të projektit kërkohet “krijimi i ndjesisë së krenarisë dhe dashurisë për qytetin”, me pamje të Shirokës, Velipojës, Thethit, kishave, xhamive e muzeve, ritëm të shpejtë pamjesh çdo pak sekonda dhe tinguj ambienti që përçojnë jetë, energji e optimizëm.
Në të njëjtën kohë, fushata do të menaxhohet në Facebook dhe Instagram, me target grupmoshat 20–50 vjeç dhe reklama të sponsorizuara që shfaqin imazhe, video dhe “story ads”.
Në thelb, bëhet fjalë për një fushatë imazhi personal, shumë pranë modelit që ka ndjekur prej vitesh Erion Veliaj në Tiranë e më pas Edi Rama dhe Belinda Balluku, përmes krahasimeve “si ka qenë dhe si është”.
Ironikisht, ndërsa SPAK zbërthen dosjet e tenderave të KESH-it, në Shkodër po shpallet një tjetër tender, këtë herë për të rregulluar perceptimin publik.
Kritikët e shohin këtë si një përpjekje të qartë për të larë imazhin e një zyrtari që, në vend të përballet me drejtësinë, po përgatitet të “shitet” në rrjete sociale si njeriu që i solli Shkodrës rilindjen digjitale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



