Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë vendosur që të operojnë përmes një skenari për të maksimizuar votën e tyre.
Basha me Kryemadhin kanë zgjedhur që të kandidojnë me lista të ndryshme në 9 qarqe të vendit dhe me një listë në 3 qarqe të tjera.
Qëllimi është që të mos humbasë asnjë votë opozitare dhe thellimi i rezultatit në ato qarqe ku duhet bërë diferenca siç është Tirana, Durrësi, Elbasani, të cilat ose duhen fituar ose duhen nxjerrë barazim në mënyrë që opozita e sotme të jetë mazhorancë nesër.
Kështu, PD dhe LSI do të garojnë secila me listën e vetë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier, Lezhë, Shkodër, Berat dhe Vlorë.
LSI do të ketë edhe mbështetjen e Paskal Milos, të PSD-së.
Mësohet se PD dhe LSI do të garojnë me një listë në qarkun e Dibrës, Kukësit dhe Gjirokastrës, ku ka një numër të vogël votuesish.
Pritet që LSI të nxjerrë një listë fiktive në këto 3 qarqe, po do të ketë vetëm efekt ligjor, pasi mbështetësit e kësaj partie do të ftohen që të votojnë kandidatin e LSI-së në listën e PD-së.



