Zelensky të premten takon presidentin Erdogan në Turqi
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të udhëtojë në Turqi për bisedime mbi marrëveshjen e grurit të Detit të Zi, sipas raportimeve të agjencisë turke të lajmeve Anadolu. Sipas mediave të huaja, Zelensky do të takohet me Presidentin Erdogan për të diskutuar marrëdhëniet midis dy vendeve, zhvillimet e fundit në luftë dhe marrëveshjen e grurit, e cila do të përfundojë më 17 korrik.
Marrëveshja për grurin, për të cilën Turqia ka ndërmjetësuar së bashku me Kombet e Bashkuara, ka si qëllim garancinë e sigurisë së anijeve që hyjnë dhe dalin në portet e Ukrainës në ujërat e kontrolluara nga Rusia në Detin e Zi. Rusia ka argumentuar se nuk sheh arsye për të zgjatur marrëveshjen përtej afatit, duke pretenduar se disa aspekte të marrëveshjes lidhur me eksportin e drithërave të saj nuk janë plotësuar.
Në këtë kontekst, OKB-ja ka njoftuar se do të shqyrtojë mundësinë e dërgimit të një të dërguari tregtar në Moskë për të negociuar dhe bindur Rusinë të pranojë zgjatjen e marrëveshjes për herë të katërt.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



