“Zemër m’i nis 100 mijë dollarë”, dalin mesazhet e ambasadores së SHBA në Greqi
Mesazhe private të publikuara nga The Wall Street Journal kanë vënë në qendër të vëmendjes Kimberly Guilfoyle, ambasadoren e SHBA-së në Greqi, e cila, para konfirmimit të saj në detyrë, i kërkoi një donatori të njohur të lëvizjes “MAGA” t’i paguante një faturë prej 100 mijë dollarësh të kartës së kreditit.
“Zemër, të lutem, kam nevojë ta bësh këtë për mua sot”, i shkruante Guilfoyle Eric Deters-it, një biznesmen dhe ish-kandidat për Kongres në Kentucky, nëpërmjet aplikacionit Signal, më 3 korrik 2025. Mesazhit ajo i kishte bashkëngjitur edhe një dokument PDF me udhëzimet për kryerjen e pagesës ndaj American Express.
Sipas komunikimeve të publikuara nga gazeta amerikane, Guilfoyle i kërkoi Deters-it që shumën ta transferonte drejtpërdrejt për shlyerjen e detyrimit, duke e siguruar se transaksioni nuk do të tërhiqte vëmendje.
“Mund ta dërgosh thjesht këtu. Nuk do të shfaqet gjëkundi; nëse bën transfertë te American Express, do të duket vetëm ajo pagesë. Të lutem”, i shkruante ajo.
Deters, 63 vjeç, thuhet se kishte premtuar t’i jepte Guilfoyle-s deri në 1 milion dollarë në këmbim të ndihmës së saj për të çuar përpara çështje ligjore dhe tatimore pranë zyrtarëve të lartë të administratës Trump. Megjithatë, kur u përball me kërkesën konkrete për 100 mijë dollarë, ai hezitoi të kryente pagesën.
“Fakti që të duhen urgjentisht 100,000 dollarë, fatkeqësisht, nuk funksionon. Nuk mund ta bëj këtë pa u divorcuar”, raportohet të ketë qenë përgjigjja e tij.
Guilfoyle vazhdoi të këmbëngulte, duke i kujtuar Deters-it se kishte kohë që përpiqej të komunikonte me të dhe duke përmendur mundësinë e takimeve me zyrtarë të administratës Trump, mes tyre Billy Long, ish-komisioner i Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS).
Në përpjekje për ta bindur, ajo i premtoi se do të ishte “mbështetësja më besnike e Trumpit, përgjithmonë”, nëse ai do t’ia plotësonte kërkesën. Megjithatë, Deters nuk pranoi të transferonte shumën.
“Ajo nuk e mbajti kurrë asnjë premtim”, u shpreh ai për The Wall Street Journal, duke folur për raportin e tij me ambasadoren.
Konfirmimi si ambasadore dhe lidhjet me rrethin e Trumpit
Vetëm gjashtë ditë pas shkëmbimit të këtyre mesazheve, më 9 korrik 2025, Guilfoyle u paraqit për seancën dëgjimore në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, si pjesë e procesit të konfirmimit për postin diplomatik. Më 18 shtator, ajo u konfirmua si ambasadore e SHBA-së në Greqi, me 51 vota pro dhe 47 kundër.
Guilfoyle, ish-prezantuese e Fox News dhe ish-e fejuara e Donald Trump Jr., njihet prej vitesh për lidhjet e saj me rrethin politik të presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas raportimeve, ajo dhe Deters njiheshin që nga viti 2020, kur ai organizoi aktivitetin “Freedom Fest”, një event kundër mandateve të vendosura gjatë pandemisë COVID-19. Në edicionet e mëvonshme, Guilfoyle u pagua gjithsej 300 mijë dollarë për të mbajtur fjalime së bashku me pjesëtarë të tjerë të familjes Trump.
Të dhënat e Komisionit Federal të Zgjedhjeve, të cituara nga The Wall Street Journal, tregojnë gjithashtu se ajo dhuroi 125 mijë dollarë për një komitet politik në mbështetje të Trumpit në vitin 2022.
Marrëdhënia mes Guilfoyle-s dhe Deters-it thuhet se u afrua më tej pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024. Sipas raportimeve, Deters i kishte kërkuar ndihmë për të siguruar ekstradimin nga Pakistani të një mjeku nga Ohio, të akuzuar për mashtrim ndaj kompanive të sigurimeve përmes ndërhyrjeve kirurgjikale të panevojshme te fëmijët.
Në të njëjtën kohë, vetë Deters po përballej me një hetim të IRS-së lidhur me një zbritje tatimore të kërkuar në vitin 2020, pas shitjes së një pjese të aksioneve në biznesin e tij familjar.
Një tjetër element që del nga komunikimet është kërkesa e vazhdueshme e Guilfoyle-s që Deters të ruante konfidencialitetin për marrëveshjet dhe bisedat mes tyre.
Publikimi i mesazheve hedh dritë mbi marrëdhënien financiare dhe personale mes dy personazheve, ndërsa detajet e bëra publike ngrenë pikëpyetje mbi kërkesat për pagesa dhe pritshmëritë e lidhura me ndikimin politik në rrethin e administratës Trump.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



