E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zgjedhja e anëtarëve të KPP-së, kandidatët shfaqin platformat e tyre
Lajme

Zgjedhja e anëtarëve të KPP-së, kandidatët shfaqin platformat e tyre

Kandidatët për anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) kanë paraqitur këtë të mërkurë në Komisionin e Ligjeve platformat dhe vizionet e tyre për funksionimin e institucionit, duke vënë theksin te transparenca, shpejtësia dhe cilësia e vendimmarrjes.

Gjatë seancës dëgjimore, secili prej kandidatëve prezantoi prioritetet kryesore dhe eksperiencën profesionale që synon të sjellë në KPP, një institucion kyç për garantimin e ligjshmërisë në prokurimet publike.

Fiorent Zguro theksoi se fokusi i tij mbetet te zbatimi rigoroz i ligjit dhe standardeve në fuqi:
“Fokusi është në ligjshmëri dhe në legjislacionin e aplikueshëm në Shqipëri, duke iu përmbajtur parimeve të paanshmërisë në shqyrtimin e ankesave, qëndrueshmërisë, transparencës dhe forcimit të besimit të publikut.”

Edvin Simo u ndal te problematika e vonesave në shqyrtimin e ankesave:
“Një nga çështjet që kërkon ndërhyrje është vonesa në trajtimin e ankesave. Duhet të analizohen arsyet dhe kjo do të jetë në fokusin tim.”

Enkeleon Topulli vuri në dukje eksperiencën e tij të hershme në prokurimet publike dhe kontributin në aspektin financiar:
“Kam njohuri të thelluara të ligjit të prokurimeve, që nga fazat e para të prokurimeve elektronike. Përvoja ime financiare ndihmon në ndërthurjen e elementëve ekonomikë dhe në marrjen e vendimeve sa më pranë realitetit, duke garantuar përdorimin eficient të fondeve.”

Lulzim Mata theksoi përkushtimin e tij shumëvjeçar në këtë fushë:
“Kam një jetë që punoj në prokurime. Profesionalizmi dhe ndershmëria kanë qenë gjithmonë udhërrëfyesit e mi dhe jam i bindur se do ta kryej këtë detyrë në mënyrën më të mirë.”

Ergys Streza u ndal te rëndësia strategjike e KPP-së përtej shqyrtimit të ankesave:
“Gjatë 10 viteve të fundit i jam përkushtuar sistemit të prokurimeve. KPP ka një mision më të gjerë se shqyrtimi i ankesave, pasi lidhet me besimin e qytetarëve dhe operatorëve ekonomikë. Angazhimi im do të jetë në rritjen e cilësisë së vendimmarrjes, duke përdorur edhe analizën e të dhënave dhe dixhitalizimin si mbështetje për gjykimin juridik. Transparenca mbetet themeli i besimit publik, ndërsa përgatitja për standardet e BE-së është prioritet.”

Donika Daci theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë institucionale:
“Kandidatura ime synon të kontribuojë në forcimin e qëndrueshmërisë së KPP-së dhe të vendimmarrjes së tij. Eksperienca ime në menaxhim dhe pjesëmarrje në procedurat e prokurimit, si dhe trajnimet në ASPA, do të shërbejnë në këtë drejtim.”

Julian Dhima u shpreh shkurtimisht:
“I përmbush kushtet për të qenë anëtar i KPP-së.”

Najada Merolli e konsideroi kandidimin si një vlerësim profesional:
“Nxitja nga stafi dhe ish-stafi im për të kandiduar është një vlerësim i rëndësishëm. Për një prokurues, të jesh pjesë e KPP-së është kulmi i karrierës. Do të ofroj një oponencë të fortë dhe do të jem e paanshme në vendimmarrje.”

Florian Sahatçiu e sheh këtë hap si një avancim profesional:
“Ka ardhur momenti për një zhvillim cilësor në karrierën time. Nëse zgjidhem, do të punoj për të rritur më tej cilësinë e vendimmarrjes së KPP-së.”

Erald Mihali vuri theksin te efikasiteti:
“Kjo është një sfidë për mua. Transparenca, shpejtësia dhe cilësia janë thelbësore, pasi çdo vonesë në vendimmarrje ndikon drejtpërdrejt në zbatimin e prokurimeve publike.”

Bledar Cengu evidentoi tre shtylla kryesore të profilit të tij:
“Plotësoj tre kritere themelore: njohjen e legjislacionit të vjetër dhe të ri, përvojën praktike dhe vendosmërinë në vendimmarrje.”

Nertil Kanina theksoi përvojën dhe synimet për rritjen e eficencës:
“Është hera e dytë që kandidoj. Përvoja më ka dhënë shtysë për të konkurruar sërish. Synoj rritjen e eficencës dhe qëndrueshmërisë së KPP-së, duke garantuar vendimmarrje të drejtë dhe në kohë.”

Xhovan Gjini u shpreh:
“Eksperienca e këtyre viteve më ka bindur se mund të jem një vlerë e shtuar për KPP-në.”

Hipokrat Biba theksoi motivimin profesional:
“Dëshira për rritje profesionale më shtyu të kandidoj. Respektimi i ligjit, vendimmarrja në kohë dhe transparenca do të jenë parimet e mia udhëheqëse.”

Lorena Beqiri vjen nga sektori privat:
“Motivimi im është tërësisht profesional. Nuk kam punuar në administratën publike, por jam njohur me prokurimet që prej vitit 2010.”

Endri Dafa vuri në dukje përvojën konkrete me ankimimet:
“Plotësoj të gjitha kriteret ligjore dhe kam mbi tre vite eksperiencë në sektorin privat, me më shumë se 100 ankimime pranë KPP-së. Vendimmarrja ime do të bazohet në paanshmëri, shpejtësi dhe eficencë, duke garantuar akses për publikun.”

Hektor Muçaj e konsideron KPP-në si një mundësi për kontribut maksimal:
“Arsyet e kandidimit janë profesionale. Në KPP mund të japësh maksimumin dhe vendimet duhet të jenë sa më të thjeshta dhe të kuptueshme për të gjithë.”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.