E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zgjedhjet lokale në Kosovë, përfundon numërimi në disa komuna
Bota

Zgjedhjet lokale në Kosovë, përfundon numërimi në disa komuna

Kosova ka përmbyllur procesin e votimit për balotazhin e zgjedhjeve lokale në 18 komuna, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur menjëherë numërimin dhe publikimin e rezultateve paraprake.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi është zhvilluar qetë, pa incidente që mund të vinin në dyshim integritetin e votimit.

“Nga raportimet që kemi pranuar gjatë ditës, vlerësojmë se votimi u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe të qetë”, deklaroi Radoniqi, duke shtuar se rezultatet e para pritet të publikohen rreth orës 21:00.

Në balotazh shkuan komunat: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.

LVV kryeson në Gjilan e Kaçanik

Në Gjilan, kandidati i Vetëvendosjes Alban Hyseni kryeson bindshëm me 59.83% të votave, kundrejt Arbër Ismajlit të LDK-së që ka 40.17%. Diferenca mes tyre është mbi 3 mijë vota.

Në Kaçanik, gjithashtu, Vetëvendosje prin me Jeton Rakën që ka marrë 50.41%, përballë Sabedin Vishit të PDK-së.

Gara më e ngushtë në Mitrovicë të Jugut

Një përballje e fortë po zhvillohet në Mitrovicë të Jugut, ku Faton Peci i LVV-së ka 54.17% të votave, ndërsa Arian Tahiri i PDK-së ndjek me 45.83%. Diferenca mes tyre është vetëm 688 vota.

PDK ruan Prizrenin, Totaj drejt një mandati të dytë

Në Prizren, kandidati i PDK-së Shaqir Totaj pritet të fitojë edhe një mandat, pasi me 75% të votave të numëruara, ai ka 54.97% të votave kundrejt Artan Abrashit të Vetëvendosjes.

LDK me avantazh në Prishtinë, Pejë dhe Dragash

Në Prishtinë, Përparim Rama i LDK-së mban epërsinë me 51.15%, ndërsa rivali i tij nga LVV, Hajrulla Çeku, ka 48.85%. Gara mbetet shumë e ngushtë.

Në Pejë, Gazmend Muhaxhiri i LDK-së duket se ka siguruar një tjetër mandat, me 61.4% të votave të numëruara.
Në Dragash, Bexhet Xheladini i LDK-së ka 57.85%, përballë Shaban Shabanit të PDK-së që ka 42.15%.

AAK fiton në disa komuna

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar disa fitore të rëndësishme.
Në Gjakovë, Ardian Gjini ka shpallur fitoren me 62.32% të votave, ndërsa në Suharekë, Bali Muharremaj kryeson me 55.95%.
Në Klinë, Zenun Elezaj i AAK-së ka marrë 58.69%, ndërsa në Rahovec, Smajl Latifi prin me 58.53%.

Lista Serbe ruan bastionet në veri

Në komunën me shumicë serbe Kllokot, kandidati Bozhidar Dejanoviq nga Lista Serbe ka fituar pothuajse 90% të votave, duke vulosur një fitore të pastër.
Kryetari i partisë, Zllatan Ellek, e ka cilësuar rezultatin si “fitore historike”, pasi Lista Serbe ka ruajtur kontrollin në të dhjetë komunat me shumicë serbe.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.