Zhbllokimi i kriptove të sekuestruara, të huaj i drejtohen SPAK dhe gjykatës
Sekuestrimi i miliona dollarëve në kriptovaluta nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), në kuadër të një hetimi penal të nisur në vitin 2024, ka sjellë reagime nga shtetas të huaj që pretendojnë pronësinë mbi fondet e bllokuara.
Sipas informacioneve, rreth 40 kërkesa për informacion janë depozituar pranë SPAK, ku kërkohet sqarim mbi arsyet e bllokimit të portofolëve digjitalë. Ndërkohë, në dy raste konkrete, shtetas nga Turqia dhe Ekuadori i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesë për lirimin e shumave të sekuestruara.
Hetimet e SPAK sugjerojnë se portofolët e kriptovalutave, me një vlerë totale që arrin deri në 10 milionë dollarë, dyshohet të jenë produkt i aktiviteteve të paligjshme dhe të jenë përdorur për transferime përmes sistemit informal financiar të njohur si “Hawala”.
Autoritetet kanë identifikuar lidhje mes këtyre portofolëve dhe llogarive të shtetasit Marklen Mici, i cili është nën hetim për pastrim parash në kuadër të një grupi kriminal.
Sipas dokumenteve të shqyrtuara, shtetasi turk pretendon se ushtron aktivitet të ligjshëm në fushën e kriptovalutave prej vitesh dhe kundërshton bllokimin e rreth 2.7 milionë dollarëve. Ai pranon se ka pasur transaksione me Marklen Micin, por sipas tij ato nuk tejkalojnë shumën prej 300 mijë dollarësh.
Një qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe shtetasi nga Ekuadori, i cili deklaron se operon në tregun e kriptovalutave prej disa vitesh dhe se portofolët e tij përfshijnë transaksione edhe me persona të tjerë, të palidhur me hetimin në fjalë.
Megjithatë, SPAK ka kundërshtuar kërkesat për zhbllokim, duke argumentuar në Gjykatën e Posaçme se hetimet janë ende në zhvillim dhe se çdo transaksion po verifikohet në detaje. Gjykata ka vendosur të lërë në fuqi masën e sekuestros deri në përfundim të hetimeve.
Rasti në fjalë hedh dritë mbi përdorimin në rritje të kriptovalutave në skema të dyshuara për pastrim parash, si dhe mbi sfidat që hasin autoritetet në gjurmimin e transaksioneve në sistemet financiare joformale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



