E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zhduken 4 të rinj shqiptarë në Angli
Bota

Zhduken 4 të rinj shqiptarë në Angli

Organizata “Missing People” u bën thirrje qytetarëve për ndihmë në lokalizimin e katër të miturve shqiptarë, të cilët janë larguar nga kujdesi i shërbimeve sociale ose kanë humbur kontaktet.

Katër të rinj shqiptarë, të cilët rezultojnë të zhdukur në Angli, po kërkohen nga organizata “Missing People”, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve të ndihmojnë në identifikimin e vendndodhjes së tyre.

Njëri prej tyre është Bledar Ismailaj, i cili ishte 17 vjeç kur u raportua i zhdukur në vitin 2018. Në atë kohë, ai jetonte në zonën e King’s Lynn, në Norfolk.

Një tjetër i ri që figuron në listën e personave të zhdukur është Ervis Ndreca, gjithashtu 17 vjeç. Ai është raportuar i zhdukur nga Hove, në East Sussex, më 14 korrik 2022, pasi ishte larguar nga shërbimet sociale.

Në listën e personave që kërkohen është edhe Akil Dervishi, 17 vjeç, i cili është parë për herë të fundit në Sussex më 4 maj 2022.

Ndërkohë, organizata kërkon ndihmën e publikut edhe për gjetjen e Denis Haliajt. 17-vjeçari ishte akomoduar në Manchester pasi kishte mbërritur në Angli, ndërsa kontakti i fundit me të raportohet të jetë regjistruar më 15 gusht 2021.

Rreziku i shfrytëzimit të fëmijëve emigrantë

Rasti rikthen në vëmendje shqetësimet për sigurinë e fëmijëve emigrantë të pashoqëruar në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas një raporti të BBC-së, të publikuar në dhjetor 2022, deri në 20% e fëmijëve emigrantë shqiptarë të vendosur pranë këshillave lokale në Angli gjatë atij viti ishin klasifikuar si të zhdukur.

Të dhënat e raportuara për rajonin e Kentit tregonin se, nga 197 fëmijë shqiptarë të pashoqëruar të pranuar deri më 31 tetor 2022, 39 rezultonin të zhdukur.

Raportimet britanike kanë ngritur shqetësime se fëmijët e zhdukur mund të përballen me rrezik të lartë trafikimi njerëzor, skllavërie moderne dhe shfrytëzimi për punë në sektorë si ndërtimi e lavazhet, si dhe përfshirjeje të detyruar në veprimtari kriminale, përfshirë kultivimin e kanabisit dhe shpërndarjen e drogës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.