Zhduket pa gjurmë ish-numri 2 i AKSHIT, Daniel Shima

Kontakti i fundit me familjen ka qenë në orën 13:30, kur Shima i ka njoftuar se ishte ndaluar nga Policia dhe ishte arrestuar. Por pasi familja ka bërë verifikimet përkatëse, ka parë që nuk ka asnjë ndalim apo arrestim me këtë emër.
Në këtë moment ka bërë denoncimin për zhdukjen e tij.
Policia po heton dy pista, pengmarrjen ose një inskenim të mundshëm të zhdukjes. Burime pranë grupit të hetimit janë të rezervuar për të ndarë informacione të tjera.
Kush është Daniel Shima? Shima ka qenë ish-zv/ drejtor i AKSHI-t,
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, një ndër zyrtarët më të lartë të kësaj agjencie, direkt pas drejtueses Mirlinda Karçanaj.
Në fakt, Daniel Shima ka qenë deri pak muaj më parë numri 2 i AKSHIT, por vetëm deri pak muaj më parë, pasi ditën që shefja e tij Mirlinda Karçanaj u thirr në Prokurorinë e Posaçme, ai u shkarkua.
Drejtuesja e agjencisë më të rëndësishme për menaxhimin dhe përmirësimin e sistemeve të teknologjisë dhe informacionit në institucionet shtetërore shqiptare, është marrë për disa orë në pyetje më 19 Mars 2024 në ambientet e SPAK dhe menjëherë pas daljes prej atje, është kthyer në zyrë dhe ka firmosur shkarkimin e Daniel Shimës
Familjarët kanë deklaruar sot në polici se kanë humbur kontaktet me të prej paradites së sotme dhe nuk kanë arritur ta gjejnë më.
Menjëherë pas denoncimit, policia ka nisur kontrollet për lokalizimin e tij, ndërsa aktualisht nuk ka ende gjurmë.
Ndaj Shimës janë bërë akuza publike gjatë kohës që ishte në detyrë në lidhje me abuzimet dhe vjedhjet e tenderave të organizuara nga AKSHI, ndërsa një vit më parë u raportua se ai ishte marrë nën mbrojtje nga Garda e Republikës, me vendim të posaçëm, për shkak të një rreziku të konstatuar nga institucionet ligjzbatuese. Megjithatë, nuk pati kurrë informacion zyrtar nëse ai ishte realisht i kërcënuar apo përse konsiderohej se i rrezikohej jeta.
Pak kohë më parë, edhe ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj deklaroi publikisht se Daniel Shima ka qenë i kërcënuar, duke ngritur edhe më shumë pikëpyetje mbi çështjen.
Zhdukja e tij e sotme hap sërish debat mbi prapaskenat e tenderave me vlerë miliarda lekë në AKSHI dhe përplasjet e mundshme brenda këtij institucioni kyç për menaxhimin e sistemeve shtetërore të teknologjisë dhe informacionit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



