Zhdukja e Ervis Martinajt, gazetari ngre dyshimet e forta
Gazetari Ferdinand Dervishi shpreh bindjen se kërkesa e familjes së Ervis Martinaj për ta shpallur zyrtarisht të zhdukur, pas më shumë se dy vjet mungesë, shërben kryesisht për t’u mundësuar atyre të kryejnë veprime ligjore mbi pasuritë e tij.
Ai thekson se kjo çështje duhej të kalonte në duart e SPAK-ut, duke nënvizuar se më shumë se kaq, hetimet në Prokurorinë e Kurbinit nuk kanë ecur si duhet dhe nuk është dhënë një përkushtim i duhur.
Sipas Dervishit, nëse Prokuroria e Posaçme do të kishte marrë në dorë këtë rast, situata do të ishte zhvilluar ndryshe dhe më mirë.
“Ervis Martinaj është një figurë me ndikim dhe interes të madh, i zhdukur që nga gushti i vitit 2022, pra tashmë prej pothuajse tre vitesh. Procedura për shpalljen e tij të zhdukur nuk është shumë e komplikuar, por ka pasoja të rëndësishme ligjore. Një person i shpallur i zhdukur mund t’i lejojë familjes të kryejë veprime gjyqësore dhe hipotekore, pasi ai nuk rezulton më në regjistrat familjarë,” shpjegon gazetari.
Ai shton se i ati i Martinaj ka pasur prona të konsiderueshme, ndërsa SPAK ka lëshuar urdhra për pezullimin e 35 pasurive, duke theksuar se shpallja e Ervis Martinaj të zhdukur do t’u mundësojë familjarëve të administrojnë këto pasuri.
Dervishi sqaron gjithashtu se kjo veprimtari nuk do të ndikojë në hetimin lidhur me pasuritë, në rast se vërtetohet se ato janë fituar nga aktivitete kriminale.
Gazetari përshkruan historinë e komplikuar të zhdukjes së Martinaj, duke përmendur se për kapjen e tij janë angazhuar deri në 100 persona të armatosur dhe grupe kriminale që synonin ta eleminonin. Ai pohon se Martinaj nuk vepronte i vetëm, por ishte pjesë e një grupi të fuqishëm kriminal, i cili u përball me një tjetër bandë më të fortë, e cila fillimisht i “priti krahët”, për të përfunduar më pas me eliminimin e djalit të xhaxhait të tij.
Gazetari vë në dukje se kërkesa për shpalljen e Martinaj të zhdukur tregon se familja deri vonë ka pasur dyshime lidhur me fatin e tij, duke mos qenë e sigurt nëse ai është gjallë apo jo. Ai shton se, ndonëse familjarët mund të kenë pasur informacione jozyrtare, nuk kanë marrë prova konkrete nga autoritetet, dhe madje kanë menduar se mund të ketë ikur vetë.
Në biseda të përgjimit telefonik me një familjar, është dëgjuar zëri që ngjason me atë të Martinaj, por nuk është arritur në përfundime të qarta mbi autenticitetin e tij. Sipas Dervishit, kjo mund të jetë një përpjekje për të mbajtur gjallë këtë çështje.
Ai gjithashtu përmend se zhdukja e Martinaj ka ndodhur në periudhën kur dolën në dritë përgjimet e “Sky-Encro”, ndërsa Martinaj përdorte një aplikacion tjetër për komunikim. Nëse këto prova arrijnë të dokumentohen, mund të zbulohen të dhëna të rëndësishme për krimin.
Gazetari thekson se nëse SPAK merr nën hetim këtë dosje, do të ketë një avantazh të madh në drejtim të zgjidhjes së çështjes. Ai është i bindur se Martinaj nuk është gjallë, duke treguar se hetuesit kanë kontrolluar me shumë kujdes edhe vilën e Avdulajve në Shijak për prova të mundshme.
“Policia dhe autoritetet nuk janë të pavetëdijshme për situatën, por është një rast shumë i ndërlikuar,” përfundon Dervishi në intervistën e tij në mcn.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



