“Zien” rrjeti, a do futet gruaja e Mirit sonte në Big Brother VIP?
Pas zhvillimeve të fundit që përfshinë Mirin në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, në rrjet shpërthyen spekulimet për një surprizë gjatë mbrëmjes live të “Prime”. Diskutimet morën vrull, sidomos pas tensioneve që shoqëruan situatat e fundit brenda shtëpisë.
Një pjesë e mirë e ndjekësve aluduan se bashkëshortja e tij mund të shfaqej në studio për ta mbështetur publikisht, duke e kthyer këtë skenar në një nga temat më të komentuara në platformat sociale. Pritshmëritë u rritën me shpejtësi dhe ideja e një hyrjeje surprizë u përhap gjerësisht online.
Por gjithçka është sqaruar nga vetë ajo. Përmes një postimi në profilin e saj në Instagram, bashkëshortja e Mirit publikoi një foto nga ambienti i punës, duke treguar qartë se ndodhet në Gjermani dhe po vijon normalisht angazhimet profesionale.
Ky reagim erdhi si përgjigje direkte ndaj zërave që qarkullonin, duke hedhur poshtë çdo mundësi për një paraqitje të saj në spektaklin e mbrëmjes.
“Për të gjithë që mendojnë që jam në Prime sot… Më vjen keq por jam në punë!”, shkroi ajo, duke i dhënë fund përfundimisht spekulimeve.
Në këtë mënyrë, surpriza e shumëpërfolur rezultoi të ishte thjesht një produkt i entuziazmit në rrjete sociale, ndërsa mbështetja për Mirin, të paktën për momentin, do të vijojë nga larg.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



