Zjarr masiv në Shijak, tymi pushton autostradën Tiranë–Durrës
Një vatër e fuqishme zjarri ka përfshirë pasditen e së dielës zonën e Koxhasit në Shijak, duke alarmuar banorët dhe autoritetet lokale. Flakët janë përhapur me ritme të shpejta, të favorizuara nga era e fortë që ka përkeqësuar situatën në terren.
Tymi i dendur ka mbuluar një hapësirë të konsiderueshme, duke u bërë i dukshëm edhe nga aksi rrugor Tiranë–Durrës. Si pasojë, drejtuesit e automjeteve janë përballur me vështirësi në qarkullim për shkak të uljes së ndjeshme të shikueshmërisë.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë menjëherë shërbimet zjarrfikëse të Shijakut, të cilat po punojnë intensivisht për të vënë nën kontroll flakët dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit në zona të tjera përreth.
Të dhënat paraprake sugjerojnë se zjarri mund të ketë nisur si pasojë e djegies së mbeturinave, por për shkak të kushteve atmosferike, situata ka dalë shpejt jashtë kontrollit.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë operacionin për shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit, si dhe hetimet për të përcaktuar me saktësi shkaqet që çuan në shpërthimin e tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



