Zjarr në Belsh, flakët kërcënojnë banesat
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë fshatin Fierzë në bashkinë e Belshit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe të gjera me pemëtore, ullishte dhe shkurre. Flakët po përhapen me intensitet, ndërsa situata mbetet alarmante për banorët e zonës.
Sipas dëshmive nga terreni, rreziku për përfshirjen e banesave është real nëse ndërhyrja nuk rezulton e menjëhershme dhe efektive. Era e fortë po ndihmon përhapjen e zjarrit, duke e bërë më të vështirë izolimin e vatrave aktive.
Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse të Belshit, të cilat po punojnë për neutralizimin e flakëve, ndërsa është kërkuar mbështetje edhe nga bashki të tjera për përforcim të operacionit. Ndryshe nga qyteti i Elbasanit që është përballur me kushte të paqëndrueshme atmosferike, në zonën e Belshit mungesa e reshjeve po e vështirëson ndjeshëm shuarjen e zjarrit.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të bashkëpunojnë me ekipet në terren, ndërsa operacioni për vënien nën kontroll të flakëve vijon.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



