Zjarr në Myslym Shyri, banorët dalin me panik nga pallati
Një tjetër zjarr ka shpërthyer këtë të premte në Tiranë, duke rritur shqetësimin për shtimin e rasteve të tilla në kryeqytet. Ngjarja është regjistruar në zonën e Myslym Shyrit, ku flakët kanë përfshirë një pallat të vjetër, të ndërtuar para viteve ’90.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri është konstatuar fillimisht nga banorët, të cilët kanë dalë menjëherë jashtë banesave të alarmuar nga tymi i dendur që përfshiu shkallët dhe ambientet e brendshme të godinës.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë me shpejtësi forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin e flakëve dhe për të parandaluar përhapjen e tyre në apartamentet e tjera të pallatit.
Deri në këto momente, shkaqet e zjarrit mbeten të paqarta, ndërsa nuk ka ende një konfirmim zyrtar nëse ka persona të lënduar apo të bllokuar brenda godinës.
Rasti i fundit vjen në një periudhë kur zjarret në Tiranë janë bërë gjithnjë e më të shpeshta, veçanërisht në zonat e banuara. Vetëm pak ditë më parë, një zjarr i fuqishëm përfshiu një pallat në kompleksin “Kadiu” në zonën e Ali Demit, duke shkaktuar panik te banorët.
Po ashtu, një tjetër incident i ngjashëm u regjistrua edhe pranë QSUT-së, ku flakët përfshinë një kompleks pallatesh, duke ngritur shqetësime serioze për standardet e sigurisë në ndërtesat rezidenciale.
Autoritetet pritet të zbardhin rrethanat e kësaj ngjarjeje, ndërsa apelohen qytetarët për kujdes të shtuar ndaj burimeve të mundshme të zjarrit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



