E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zoti Rama drejtësia e vërtetë nuk është retorikë politike për “Mbretërinë e Shpifarakëve”
Lajme

Zoti Rama drejtësia e vërtetë nuk është retorikë politike për “Mbretërinë e Shpifarakëve”

Naim Noka

Zoti Kryeministër, postimi juaj i mezipritur  është një përpjekje e qartë për të shitur një triumf të drejtësisë, por nuk bind askënd për drejtësinë e barabartë që pretendoni të promovoni.

Dënimi i Ervin Salianjit, në kulmin e fushatës elektorale, nuk është gjë tjetër veçse një goditje politike e qartë, një “kokë turku” e përdorur për të frikësuar të gjithë ata që guxojnë të sfidojnë pushtetin tuaj.

Më lejoni t’ju pyes: ku ishte drejtësia kur vëllai i Fatmir Xhafajt, Geron Xhafa, u përfshi në trafikun e drogës? A u godit me të njëjtën forcë dhe drejtësi të pavarur që pretendoni se ekziston? E megjithatë, ai mbeti i paprekur për një kohë të gjatë, duke e vënë drejtësinë përpara sfidave që nuk i zgjidhi kurrë. A u ndëshkua Xhafa për rolin e tij? Jo, sepse në këtë vend, drejtësia me dy standarde i godet vetëm ata që nuk janë pjesë e rrethit të privilegjuar të pushtetit.

Retorika juaj për “Mbretërinë e Shpifarakëve” dhe shpifjet politike është veçse një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga skandalet që përfshijnë qeverinë tuaj. Të gjithë e dimë se shpifjet dhe përpjekjet për dizinformim nuk janë vetëm të opozitës, por po ashtu vijnë nga segmente brenda qeverisë dhe partisë suaj. Ju pretendoni të mbroni të vërtetën, por kur ajo përfshin zyrtarë të korruptuar, “e vërteta” për ju bëhet e padukshme.

Ky vendim gjyqësor nuk është një fitore për të vërtetën, por një goditje politike kundër një kundërshtari në një moment kritik. Gjyqësori që pretendoni se është i pavarur, në fakt, duket se është i orkestruar nga ato duar që kontrollojnë çdo fije të pushtetit në këtë vend. Kur drejtësia vepron vetëm kundër atyre që sfidojnë status quo-në, ndërsa hesht për aferat e qeverisë, atëherë ajo nuk është më drejtësi – është thjesht një mjet për të ruajtur kontrollin politik.

Në këtë kontekst, nuk është shpifja që e ndot shoqërinë tonë, por padrejtësia e maskuar si drejtësi. E vërteta e vonuar që përmendni nuk është aspak triumf – është një turp që përçan edhe më shumë shqiptarët, duke u treguar se drejtësia nuk është e njëjtë për të gjithë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.