E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zyrtari i DASH: Sekretari i Shtetit tani ka marrë “informacion të besueshëm” lidhur me përfshirjen e Berishës në korrupsion
Publik News

Zyrtari i DASH: Sekretari i Shtetit tani ka marrë “informacion të besueshëm” lidhur me përfshirjen e Berishës në korrupsion

Departamenti i Shtetit qëndron pas vendimit për të ndaluar hyrjen në SHBA të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Vendimi i njoftuar nga vetë Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka tronditur opinionin publik në Shqipëri, ndonëse sinjalet të pakonfirmuara kanë qarkulluar prej disa vitesh tashmë për politikanë e zyrtarë të ndryshëm shqiptarë. Mirëpo, në debatet publike dhe deklaratat zyrtare ka qenë e vështirë të dalloje spekullimet e thashethemet nga shenjat e besueshme.

Një nga pyetjet kryesore që kanë qarkulluar në reagimet e njerëzve është se pse një vendim i tillë vjen pikërisht tani.

I pyetur nga “Illyria”, gazeta shqiptaro-amerikane në New York, se pse një vendim i tillë vjen në këtë kohë, një zyrtar i Departamentit të Shtetit u shpreh se tani, Sekretari i Shtetit ka në dispozicion “informacion të besueshëm lidhur me përfshirjen e Berishës në korrupsion të ndjeshëm dhe përpjekje për të ndërhyrë në proceset publike si dhe shpërdorim të fondeve publike në Shqipëri”.

Vetë Sali Berisha, figura historike e Partisë Demokratike, tashmë i tërhequr nga drejtimi aktiv i partisë, është përgjigjur me një shënim në Facebook, ku hedh poshtë akuzat, radhit sukseset e kohës kur ishte në krye të qeverisë, lavdëron miqësinë me Amerikën dhe fton Sekretarin që të tregojë me fakte korrupsionin e tij.

“Duke shprehur keqardhje per vendimin dhe duke e konsideruar ate pa asnje baze konkrete, ju ftoj te beni publike çdo fakt e dokument qe administrata e juaj, apo kushdo ne bote, mund te disponoje per te argumentuar pretendimin tuaj per mua dhe familjaret e mi”, shkroi veç të tjerash, Berisha, në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

Mirëpo, zyrtari në fjalë, i cili preferoi të mos identifikohej me emër, i tha gazetës “Illyria”, se qeveria e Shteteve të Bashkuara po e bën të qartë se nuk do të angazhohet me individë të korruptuar si Berisha” që të mos përfitojnë mbështetje dhe kredibilitet.

Ai e cilësoi ish-kryetarin e PD-së si “një individ për të cilin Sekretari i Shtetit është qartësuar se ka kryer akte korrupsioni në kurriz të popullit shqiptar”. (Illyria)

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.