11 MLN € nga KQZ e Celibashit për Renis Tërshanën
Një vështrim i thjeshtë në sistemin zyrtar të Thesarit të Shtetit (spending.data.al) zbulon një pagesë kolosale prej mbi 1.18 miliardë lekësh (afro 11.88 milionë euro) që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ekzekutuar në favor të një subjekti të vetëm me procedurën e dyshimtë dhe korruptive për R & T, një kompani e lidhur ngushtësisht me sektorin financiar dhe teknologjik.

Pas këtij emri, që në dukje mund të mos thotë shumë, fshihet një nga personazhet më të fuqishëm, por edhe më pak të njohur publikisht në sektorin bankar shqiptar: Renis Tërshana, aksioner kontrollues i Kredins Bank me rreth 24% të kapitalit.
Kush është Renis Tërshana?
Tërshana është një figurë e profilit të ulët në media, por me ndikim të jashtëzakonshëm në financa. Përveç rolit të tij si investitor strategjik në Kredins, ai ka krijuar një rrjet kompanish që përfshijnë teknologjinë, konsulencën dhe shërbimet e sistemit bankar. Në vitet e fundit, emri i tij është përmendur në rreth të ngushtë të kompanive që marrin tendera strategjikë pa garë, përfshirë institucionet më delikate të shtetit.
Lidhjet me Ilirjan Celibashin dhe Lorena Mavriqin
Sipas burimeve nga administrata publike dhe verifikimeve në sistemin e thesarit, kompania R & T, që ka marrë 40 pagesa nga KQZ në harkun kohor 2022–2025, është e lidhur përmes kontratave dhe partneritetit indirekt me Lorena Mavriqin, një bashkëpunëtore e afërt e Ilirjan Celibashit, kreut të KQZ-së.
Mavriqi, e njohur për rolin e saj në disa kompani që kanë fituar tendera nga institucione shtetërore, shfaqet në të njëjtën skemë veprimi si në tenderat e sistemit TIMS dhe projektet e AKSHI-t: një kompani fiktive, një objekt kontrate i paqartë, një fond i majmë, dhe një ekzekutim i menjëhershëm.
Çfarë fshihet pas 11 milionë eurove?
Pagesat e regjistruara për R & T shfaqin përshkrime të vagullta si:
- “Shërbime të tjera”
- “Shpenzime për shërbime të administratës speciale”
- “Shërbime për sistemin zgjedhor”
Asnjë nga këto përshkrime nuk jep detaje mbi natyrën konkrete të kontratës, projektit apo përfituesit final. Në mungesë të një gare publike të dokumentuar, këto pagesa ngrejnë dyshime të forta për një skemë korrupsioni të strukturuar, ku përmes një kompanie nën kontrollin informal të Tërshanës, janë kanalizuar fonde publike me bekimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të KQZ-së.
Pse është problematike kjo skemë?
- Konflikt interesi i mundshëm: Një aksioner bankar përfiton fonde publike përmes një strukture “hije”.
- Transparencë zero: Faturat janë të padokumentuara dhe përshkrimet nuk përputhen me një projekt të identifikueshëm.
- Favorizim sistematik: 40 pagesa nga një institucion i vetëm në vetëm 2 vite për një subjekt që nuk është i njohur për ekspertizë në fushën zgjedhore.
Çfarë kërkohet?
Publik.al i bën thirrje SPAK-ut dhe KLSH-së të hetojnë menjëherë skemën e pagesave të KQZ-së në favor të kompanisë R & T dhe lidhjet e saj me Renis Tërshanën, Ilirjan Celibashin dhe Lorena Mavriqin. Në një kohë kur zgjedhjet dhe financimi publik janë çështje themelore të demokracisë, nuk mund të lejohet që fondet publike të kthehen në mjet përfitimi për një rreth të mbyllur individësh të lidhur me pushtetin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



