12 orë protestë pa u ndalur, Lapaj: S’iki derisa të reagojë Shqipëria
Adriatik Lapaj ka vijuar protestën përpara Kryeministrisë për më shumë se 12 orë, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kauzës së tij. Gjatë një deklarimi live në rrjetet sociale, ai u apeloi veçanërisht të rinjve që të paraqiten çdo ditë para institucionit, në orën 17:00, me qëllim që protesta të marrë më shumë mbështetje dhe vazhdimësi.
“Ka kaluar nata e parë dhe unë jam ende këtu, përballë Kryeministrisë. Protesta nuk ndalet. Sot dhe çdo ditë në orën 5 pasdite do të jemi sërish këtu. Shpresoj që çdo ditë të jemi më shumë, të krijojmë vazhdimësi. Duhet një shkëndijë për t’i dhënë jetë reagimit qytetar,” – tha Lapaj.
Ai iu drejtua të rinjve duke kujtuar premtimet e pambajtura të qeverisë ndaj studentëve disa vite më parë, duke theksuar se “si në çdo vend tjetër demokratik, reagimi duhet të vijë prej tyre”. Në thirrjen e tij përfshiu edhe banorët që sipas tij janë dëmtuar nga veprimet e qeverisë, duke përmendur konfliktet për pronat në Tiranë, ngjarjet e fundit në Theth dhe vështirësitë e fermerëve në disa zona të vendit.
Lapaj akuzoi qeverinë se po forcohet në pushtet ndërsa vendi përballet me korrupsion dhe skandale. Ai përmendi çështjen e ish-zëvendëskryeministrit të arratisur dhe rastin e zëvendëskryeministres aktuale, ku sipas tij “një mesazh prej 53 milionë eurosh humbet pa gjurmë”. “E megjithatë Rama del më i fuqishëm. Si është e mundur?”, u shpreh Lapaj.
Ai shtoi se të rinjtë po përballen me kosto të papërballueshme jetese, veçanërisht në Tiranë, ndërsa paga e prindërve nuk mjafton për studime dhe jetesë. “Ndërkohë që rinia largohet, ata vazhdojnë të vjedhin dhe të konsolidojnë pushtetin,” përfundoi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



