E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Studentët nuk ndalen, Tirana përgatitet për ditën e tretë të përplasjeve
Lajme

Studentët nuk ndalen, Tirana përgatitet për ditën e tretë të përplasjeve

Protesta e studentëve pritet të vijojë edhe të mërkurën në mëngjes, pasi pjesëmarrësit kanë paralajmëruar rikthimin në rrugët e kryeqytetit për të tretën ditë radhazi. Njoftimi vjen pas dy ditësh të shoqëruara me përplasje me policinë, dëmtime të pronës publike e private dhe incidente në disa zona të Tiranës.

Ende nuk ka detaje të qarta mbi itinerarin dhe mënyrën e organizimit të tubimit të radhës. Megjithatë, paralajmërimi për një tjetër mobilizim vjen në një moment kur situata mbetet e tensionuar dhe bilanci i dëmeve nuk është përcaktuar plotësisht.

Nga institucionet te bizneset, dëme në disa zona të Tiranës

Dita e dytë e protestës u shoqërua me incidente të shumta. Gjatë tubimit u hodhën gurë, flakadanë dhe fishekzjarrë, ndërsa në disa rrugë u raportuan zjarrvënie dhe dëmtime të pronës. Për shpërndarjen e turmave, policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë.

Sipas raportimeve, më shumë se tetë institucione shtetërore u vunë në shënjestër të sulmeve, mes tyre Kryeministria, Kuvendi, Gjykata Kushtetuese, tri ministri dhe Banka e Shqipërisë. Në disa prej godinave, protestuesit dyshohet se kanë hyrë në ambientet e brendshme dhe kanë shkaktuar dëme, ndërsa vlera e plotë e tyre mbetet ende e pakonfirmuar.

Incidentet u shtrinë nga qendra e Tiranës drejt Zogut të Zi, Rrugës së Durrësit, Rrugës së Kavajës dhe zonës së “21 Dhjetorit”. Përveç institucioneve publike, dëmtime u raportuan edhe në biznese private.

Koshat e mbeturinave të djegur, gurët dhe kangjellat e përdorura si pengesa krijuan vështirësi edhe për qarkullimin e automjeteve në disa akse të kryeqytetit.

Bilanci i policisë: 14 efektivë të plagosur, 35 të shoqëruar

Sipas bilancit të fundit të publikuar nga Policia e Shtetit, gjatë protestës janë plagosur 14 efektivë, ndërsa 35 persona janë shoqëruar.

Policia ka përsëritur thirrjet për ndalimin e dhunës dhe për distancimin nga personat e përfshirë në akte shkatërrimi. Ndërkohë, ndërhyrjet e forcave të rendit kanë vijuar në zonat ku janë regjistruar përplasje.

Në protestë janë përfshirë studentë nga Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti Politeknik, Fakulteti i Ekonomisë, Gjuhët e Huaja dhe Filologjiku, si dhe nxënës të disa gjimnazeve që kanë bojkotuar mësimin.

Pavarësisht incidenteve të dy ditëve të fundit, protestuesit kanë paralajmëruar se do të dalin sërish në rrugë të mërkurën në mëngjes. Mbetet për t’u parë nëse tubimi i radhës do të zhvillohet pa përplasje apo nëse tensionet do të vijojnë të përshkallëzohen.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.