E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
13 eurodeputetë, letër KE për kontrollorët! Ja çfarë kërkohet
Publik News

13 eurodeputetë, letër KE për kontrollorët! Ja çfarë kërkohet

Një grup prej 13 eurodeputetësh i ka nisur dje një letër Komisionit Europian dhe Agjencisë së Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Europian (EASA), për situatën e krijuar në Shqipëri me kontrollorët e “Albcontrol”.

Në letrën e tyre, eurodeputetët shprehen se ndihen të shqetësuar për situatën që po ndodh me kontrollorët e trafikut ajror, ndërsa thonë se qeveria shqiptare ka tentuar që ta zgjidhë situatën në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare, ndërsa shton se zëvendësimi i kontrollorëve shqiptarë me të huaj ka vënë në rrezik sigurinë e fluturimeve në hapësirën shqiptare.

“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për një situatë në Shqipëri, që është sjellë në vëmendjen tonë, që përfshin arrestimin e tre kontrollorëve të trafikut ajror. Qeveria shqiptare është përpjekur të zgjidhë këtë situatë në kundërshtim me praktikat europiane, me dërgimin e ushtrisë, marrjen e kontrollorëve të huaj, burgosjen e disa prej kontrollorëve dhe kërcënimin e tyre se do të humbisnin vendin e punës. Përballë kësaj, kontrollorët shqiptarë që janë kthyer në punë e kanë bërë këtë nën një stres të jashtëzakonshëm shtesë, një situatë e qartë në kundërshtim me rregulloret europiane të sigurisë të vendosura.

Ministria shqiptare e Transportit ka lejuar zëvendësimin e kontrolluesve të trafikut ajror të burgosur me personel të paautorizuar dhe të pakualifikuar, duke vendosur sigurinë dhe stabilitetin e shërbimeve të trafikut ajror mbi Shqipërinë në një rrezik të madh, për të mos përmendur rrjetin në tërësi. Kjo situatë është qartë në shkelje të shtojcës 1 të Konventës së Çikagos dhe Europës mbi rregulloret e trajnimit.

Trajnimi për kontrollimin e hapësirës ajrore zakonisht zgjat nga një deri në dy vjet. Është e konfirmuar se qeveria shqiptare ka ftuar kontrolluesit turq të vijnë dhe të marrin kontrollin e hapësirës ajrore. Kjo ka një ndikim të rëndësishëm në sigurinë e hapësirës ajrore në Juglindje dhe pilotët e linjave ajrore duhet të kenë shumë kujdes kur kalojnë hapësirën ajrore shqiptare”, thuhet në letër.

Në letër kërkohet një reagim urgjent nga Komisioni Europian, ku i kërkon të ftojë qeverinë shqiptare që të reflektojë dhe të zgjidhë këtë konflikt.

“Kjo situatë kërkon një reagim të fortë nga Komisioni Europian dhe EASA. Ne i bëjmë thirrje Komisionit Europian dhe EASA-së të vendosin procedura urgjente të sigurisë, në mënyrë që të mos ketë ndërprerje të fluturimeve brenda hapësirës ajrore përreth Shqipërisë. Ne e nxisim Komisionin Europian të vendosë kontakte me autoritetet shqiptare dhe t’i ftojë ata që të kthejnë pas veprimet e tyre, si dhe të përfshihen në një dialog me punëtorët, për t’iu siguruar atyre një mjedis të sigurt pune dhe një hapësirë të sigurt ajrore. Ne e nxisim Komisionin Europian të kujtojë qeverinë shqiptare për detyrimet e saj si pjesë e procesit të integrimit në përputhje me rregulloret e BE-së”, thuhet në letrën e nënshkruar nga 13 eurodeputetë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.