Policia jep detajet: Po hetohet. Pezullohet nga detyra efektivja që nuk ndërhyri
Policia e Tiranës ka dhënë sot detajet për një video që u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale prej tre ditësh, ku dukej një person mashkull që dhunonte në mes të rrugës, në Tiranë, një femër.
Panorama raportoi sot se protagonist në këtë ngjarje ishte bërë Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja.
Sakaq, policia bën me dije se ka pezulluar nga detyra edhe efektiven e policisë që u pa në video që nuk ndërhynte kur ky person dhunonte gruan.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Lidhur me videon e publikuar në mediat sociale, ku një i ri shfaqet me pamje duke dhunuar një femër në oborrin e spitalit “Nënë Tereza”, Tiranë, në interes të opinionit publik informojmë se:
Ngjarja në fjalë ka ndodhur në datë 31.07.2019, rreth orës 07:30 minuta.
Shërbimet policore kanë shoqëruar në Komisariat shtetasin R.Rr. 26 vjeç dhe e kanë proceduar penalisht. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, pas pezullimit nga detyra të punonjëses së Policisë që ishte pranë vendit të ngjarjes, ka nisur verifikimet për veprimet apo mos veprimet e saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



