15 KUSHTE për hapjen e negociatave me BE
Parlamenti Europian miratoi rezolutën që e detyron Shqipërinë të plotësojë 15 kushte, në rast se dëshiron hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.
Këto 15 kushte duhet të plotësohen para se të nisë Konferenca e Parë Ndërqeveritare, ku do të diskutohet për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.
Miratimi i Reformës Zgjedhore është kushti i parë i vendosur nga Parlamenti Europian, me palët që kanë arritur në gjysmën e punës, ku është arritur marrëveshja, por janë akoma disa pika që i ndajnë partitë politike, pa përmendur edhe refuzimin për ta votuar nga opozita parlamentare.
Financimi transparent i partive politike duket të jetë një kusht i përmbushur, pas marrëveshjes së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, ku palët nuk patën kundërshtime në këtë pikë.
Me ngritjen e SPAK dhe GJKKO duket se është përmbushur edhe pika e tretë e kushteve, megjithëse duhet edhe pak kohë që të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit.
Komisioni i Venecias dha ditën e djeshme rekomandimet e tij në lidhje me ligjin “anti-shpifje”, ndërsa kryeministri Rama deklaroi se shumë shpejt ky ligj do të kalonte për votim në Kuvend, duke përmbushur një tjetër kusht të Parlamentit Europian.
Vendimi final për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit është një çështje e nxehtë, pasi duhet pritur funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, për të çertifikuar zgjedhjet e 30 qershorit 2019.
Kushtet duket të thjeshta për t’u përmbushur, nëse ekziston vullneti i duhur i qeverisë dhe bashkëpunimi i opozitës, për të mundësuar hapjen e neegociatave me BE, që janë premtuar për shumë vite, por gjithmonë shqiptarët janë zhgënjyer në fund.
15 kushtet që duhen përmbushur nga qeveria, përpara nisjes së konferencës së parë ndërqeveritare janë si më poshtë:
1- Miratimi i reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR
2- Financim transparent i partive politike dhe i fushatave elektorale, duke siguruar zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi, përfshirë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë në konsideratë, ekspertizën ndërkombëtare, përfshirë opinionin e Komisionit të Venecias.
3- Finalizimi i ngritjes së strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
4-Forcimi më tej i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
5- Trajtimi i fenomenit të azilkërkimit të pabazë dhe riatdhesimet.
6- Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias
7- Nisja e procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kanë kaluar vetingun
8- Nisja e procedimeve penale kundër atyre që janë akuzuar për blerjen e votës.
9- Prova të vazhdueshme në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë nisjen e procedimeve kundër zyrtarëve të lartë publikë dhe politikanëve.
10- Progres i prekshëm, në lidhje me reformën në administratën publike
11- Zbatimi i reformës zgjedhore
12- Vendim final për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019.
13- Progres i mëtejshëm për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e minoriteteve.
14- Adoptimi i ligjit për censusin e popullatës në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Europës
15- Avancimi me procesin e regjistrimit të pronave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



