E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Malkolm X, historia e njeriut dhe njeriu i historisë
Publik News

Malkolm X, historia e njeriut dhe njeriu i historisë

 

″Nuk mund t′i urresh rrënjët e një peme dhe të mos e urresh pemën. Nuk mund të urresh Afrikën e të mos e urresh veten.″

                                                                                                               Malkolm X

Historia e Malcolm X, është një nga ato histori të cilat kanë mbetur simbol frymëzimi për njerëzit e dobët kur këta shtypen nga më i forti, i njeriut të pashpresë kur ai rigjen shpresën, i atij që gjen rrugën e vërtetë, pasi kishte humbur më parë orientimin.

Trashëgimia e liderit të myslimanëve amerikanë me origjinë afrikane vazhdon të reflektohet në çdo rrugë, krahas bulevardit dhe një tregu në lagjen Harlem të Nju-Jorkut që mbajnë emrin e tij.

Ai lindi në 19 maj 1925 në Nebraska, në një familje me 7 vëllezër. Malkolm X, emri i vërtetë i të cilit është Malkolm Little, që në moshën 6-vjeçare ngeli jetim pasi i ati iu vra nga një organizatë raciste e quajtur Legjioni i Zi, e cila vepronte në Amerikën e viteve 30′ dhe mbështetej në teorinë e supremacisë së racës së bardhë.

Sikur të mos  mjaftonin sprovat për Malkolmin e vogël, e ëma duke  mbetur e ve dhe me shumë fëmijë dhe duke u gjendur në mënyrë të vazhdueshme përballë kërcënimeve racore, mbyllet në një spital të shëndetit mendor pas krizave të shumta nervore.

Në moshën 16 vjeçare Malkolmi mbijeton duke kryer veprimtari të paligjshme si vjedhje, apo edhe duke luajtur kumar. Pas fëmijërisë që i kaloi në varfëri dhe vështirësi, dënohet edhe me burg për vjedhje.

Gjatë kohës që qëndroi në burg mësoi një thënie profetike:“Nëse robi i afrohet Zotit me hap, Ai i afrohet atij me vrap”. Kjo shprehje do ta godiste fort, do ti ngulitej në zemër dhe në mendje. Në vitin 1952, pasi del nga burgu, iu bashkëngjit lëvizjes ″Kombi i Islamit″( ang.″The Nation of Islam″),e cila drejtohej në atë kohë nga Elajzhah Muhamed. Gjatë kësaj kohe, filloi të përdor mbiemrin ″X″, në shenjë përfaqësimi për mbiemrat e paraardhësve afrikanë të cilët ishte e pamundur të njiheshin. Me kalimin e kohës Malkolm X kuptoi që ″Kombi i Islamit″, jo vetëm që nuk përfaqësonte islamin e vërtetë por ishte shumë larg këtij të fundit. Lidershipi i kësaj lëvizje kishte ndikuar që islami në fillim të shekullit të XX-të, gjatë kohës kur po përhapej me shpejtësi dhe në kontinentin amerikan, të udhëhiqej nga njerëz të cilët jo vetëm e kishin deformuar doktrinën por ishin duke çuar në rrugë të gabuar edhe ndjekësit e tyre besnikë. Malkolm X vuri re dy paradokse të mëdha në këtë lëvizje: E para, kryetari i saj Elajzhah Muhamed, arriti deri aty sa ta shpallte veten të Dërguarin e Zotit mbi Tokë. E dyta qëndrimi që kjo lëvizje mbante ndaj të bardhëve ishte armiqësore. Ata mendonin që njerëzit me ngjyrë të zezë, pra zezakët, qëndronin më lartë në aspektin biologjik se të bardhët, duke rënë kështu përsëri në kurthin e racizmit dhe mungesës së logjikës.

Haxhi, qe ajo kthesë në jetën e Malkolm X që e bëri të reflektojë thellësisht për atë që kishte parë e kishte jetuar, për zezakët dhe për problemin jetësor të racave në Amerikë. Kur u kthye në atdhe deklaroi distancimin e tij nga racizmi dhe. duke u shprehuri hapur për bashkëpunim me këdo që do të ndihmonte për racizmin në Amerikë qoftë ky i zi apo i bardhë. Në këtë periudhë njihet me Martin Luter King Jr., një tjetër aktivist i shquar i të drejtave të  njeriut në Amerikë, me të cilin do të bashkonte forcat në detyrën e tij sa fisnike por edhe aq të rrezikshme. Janë të famshme fjalimet e tij plot elokuencë, ku kërkon të drejtën për të votuar për afroamerikanët dhe ku paralajmëron qeverinë që të njoh të drejta të barabarta për të gjitha rracat. Ai e njihte mire psikologjinë e skllavit, aq sa do të bënte një dallim midis skllevërve të shtëpisë dhe skllevërve të fushës. Të parët sipas atij, i nënshtroheshin skllavërisë, ndërsa të dytët e urrenin atë. Të parët ishin verbuar aq shumë nga ana shpirtërore  si pasojë e shtypjes, aq sa nuk mund ta imagjinonin veten e tyre të lire nga skllavopronari.
Tanimë nga një
anëtar i ″Kombit Islam″, Malkolm X u kthye në liderin e zezakëve. Sipas tij, problemi i të drejtave të afroamerikanëve, nuk është thjesht një problem amerikan, por mbi të gjitha një problem njerëzor. Parë nga ky prizëm, kjo çështje duhet të shtrihet përtej juridiksionit amerikan, duke u shndërruar në një çështje të përmasave ndërkombëtare deri në OKB (Organizatën e Kombeve të Bashkuara) ashtu sikurse u bë me të drejtat e zezakëve në Afrikën e Jugut dhe në Angola. Ai që predikonte realitetin e hidhur dhe tragjik të racizmit, ai vetë kishte qenë viktimë e racizmit. Por tani i liruar nga vdekja dhe frika ai mund të fliste lirshëm për atë që mendonte. Malkolm X, gjatë kësaj kohe takoi mbretin e Arabisë Saudite, Faisalin, Presidentin e Egjiptit, Naserin, zhvilloi debate në Unionin e Oxfordit etj. Pavarësia intelektuale, pavarësia politike që ai tregonte, përkushtimi në idealin e tij e kthyen atë në një njeri që nuk bënte kompromise me të keqen. ″Jam për të vërtetën, pavarësisht kush e thotë atë. Jam për drejtësi, pavarësisht kush është për ose kundër.″- do të thoshte ai. Shoqëria dhe ambienti në të cilin po vepronte Malkolm X, ishin shumë mbrapa për të kuptuar idetë e tij përparimtare për kohën, aq mbrapa sa ai filloi të merrte disa sinjalizime për ta vrarë. Armiqësia e tij nuk ishte e madhe vetëm me ″Kombin e Islamit″ pas ndarjes, por ai kishte kohë që kishte filluar të shqetësonte edhe qarqe të tjera edhe më të fuqishme.″E kam menduar përherë që do të vdisja në moshë të re dhe që do të kisha një vdekje të dhunshme″ – shprehej Malkolm X. E vërteta që ai dëshmonte dhe tregonte pa frikë duhej të ndalej me të gjitha mjetet e mundshme! Udha e tij ishte ajo e përpjekjes në udhë të Zotit, për të korrigjuar ″barrën″ e njeriut të bardhë të cilin e mundon brenga për të qytetëruar tërë pjesën tjetër të botës, zezakët, indigjenët, të verdhët etj. Vdekja e tij ishte fundi i një personi që doli mbi veten, mbi komunitetin dhe mbi të vërtetën që ishte e imponuar nga i “bardhi” në atë periudhë.

Më 21 shkurt të vitit 1965, Malkolm X, u qëllua për vdekje teksa po mbante një fjalim në Harlem, Nju Jork, ku  tre anëtarë të ″Kombit  Islam″ u dënuan për vrasjen e tij .

Në muajin para vdekjes së tij, Malcolm X i kishte diktuar biografinë e tij autorit të shquar afrikano – amerikan Alex Haley. ″Autobiografia e Malcolm X″ ( përkthyer edhe në shqip) u botua në vitin 1965, vetëm disa muaj pas vrasjes së tij. Përmes autobiografisë së tij, zëri i fuqishëm i Malcolm X vazhdoi të frymëzonte jo vetëm Komunitetin e Zi për të mbrojtur të drejtat e tyre, si psh ″Black Panthers″, të cilët përdorën mësimet e Malkolm X për të themeluar organizatën e tyre në 1966, por çdo njeri i cili shtypet me pa të drejtë qoftë për mendimin e tij të lirë. Ai mendonte se Askush nuk mund tëta falë lirinë, askush nuk mund të të japë barazinë ose drejtësinë. Nëse je burrë, duhet ti marrësh vetë ato. Megjithatë Malkolmi ishte i parimit se historia nuk është urrejtje, përkundrazi ai vet u bë njeriu i historisë, madje i një historie që frymëzon edhe sot e kësaj dite. Mbështetësit e tij pa mëri në zemrat e tyre do të vazhdojnë të luftojnë me idealizëm dhe me dritën e mirësisë në zemër, duke e nderuar ashtu si duhet atë, fundja ashtu veproi dhe ai vetë. ″Unë e di mirë se shoqëritë shpeshherë i kanë vrarë njerëzit që kanë dhënë ndihmesën e tyre për t′i ndryshuar ato shoqëri. Dhe nëse unë mund të vdes pasi të kem arritur të sjellë sadopak dritë, mbasi të kem nxjerrë në shesh ndonjë të vërtetë kuptimplotë që ka për të ndihmuar të shkatërrojë kancerin racist që është malinj në trupin e Amerikës, atëherë, të gjitha meritat i takojnë vetëm Zotit. Vetëm gabimet kanë qenë të miat.″ Këto fjalë të tij, thënë në një nga intervistat e tij më të fundit, do të ishin përmbledhja më e saktë që mund ti bëhet ndonjëherë jetës së tij.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.