20 euro vetëm një çadër, ‘fluturojnë’ çmimet te Rana e Hedhun
Një pushues ka ngritur shqetësimin për çmimet e çadrave të plazhit në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, duke pretenduar se tarifat janë rritur ndjeshëm dhe pa një njoftim paraprak për turistët.
Qytetari tregon se prej katër vitesh zgjedh këtë zonë për pushime, pasi e konsideron një plazh familjar dhe të përshtatshëm. Por këtë sezon, sipas tij, është përballur me një tarifë të papritur për përdorimin e çadrës.
“Sot, papritur, na kërkuan 20 euro vetëm për çadrën. Vitet e tjera kemi paguar më pak”, shprehet qytetari në denoncimin e tij.
Ai pretendon se rritja e çmimit është bërë së fundmi dhe pa një komunikim të qartë me pushuesit.
“Gjithmonë ky plazh ka qenë plot. Personi që mori lekët na tha se këto çmime janë vendosur vetëm prej 5 ditësh”, vijon ai.
Kërkohet kontroll për tarifat e plazheve
Pushuesi kërkon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë mënyrën e vendosjes së tarifave në zonat turistike, duke ngritur pikëpyetje nëse çmimi i kërkuar për një çadër është në përputhje me rregullat e përcaktuara.
Sipas tarifave të miratuara nga Bashkia Lezhë për sezonin turistik 2026, çmimi maksimal për shezllonet në plazhet publike varion nga 300 deri në 2 mijë lekë.
Për këtë arsye, qytetari kërkon të sqarohet nëse tarifa prej 20 eurosh për një çadër në Ranën e Hedhun respekton kufirin e vendosur nga autoritetet lokale apo nëse përbën një tejkalim të tarifave të lejuara.
Rritja e çmimeve në zonat turistike ka qenë një nga shqetësimet më të shpeshta të pushuesve gjatë sezoneve të fundit, veçanërisht në zonat bregdetare me fluks të lartë vizitorësh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



