Rrezikuan të mbyteshin, shpëtohen nënë e bir te “Rana e Hedhun”
Një situatë e rrezikshme është shënuar këtë të hënë në plazhin e Shëngjinit, në zonën e njohur si Rana e Hedhun, ku një nënë së bashku me djalin e saj të mitur kanë qenë pranë mbytjes sapo kishin hyrë në det për t’u larë.
Sipas burimeve nga vendngjarja, dallgët dhe thellësia e menjëhershme i kanë vënë në vështirësi, duke i bërë të humbasin kontrollin. Reagimi i shpejtë i rojeve bregdetare, në bashkëpunim me disa pushues të pranishëm, ka qenë vendimtar për nxjerrjen e tyre nga uji në kohë.
Menjëherë pas nxjerrjes në breg, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e urgjencës mjekësore, të cilat kanë ndërhyrë për stabilizimin e gjendjes së tyre, pasi kishin thithur sasi të konsiderueshme uji.
Aktualisht, të dy po trajtohen në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku sipas burimeve mjekësore, gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja rikthen edhe një herë në vëmendje rëndësinë e kujdesit maksimal gjatë larjes në det, sidomos në zona ku thellësia ndryshon papritur dhe kushtet e dallgëve mund të bëhen të rrezikshme brenda pak minutash.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



