Pushuesit ngrenë alarmin: “Rana e Hedhun” bëhet me pronar!
Banorë dhe pushues të Shëngjinit kanë ngritur shqetësime pranë redaksisë sonë lidhur me një ndërhyrje të kryer gjatë ditës së sotme në një prej hapësirave që ata e konsiderojnë si plazh publik në zonën e njohur të “Ranës së Hedhun”.
Sipas denoncimit të tyre, pranë hotelit “Ylionis” kanë mbërritur mjete të rënda, të cilat kanë nisur punime në zonë, duke detyruar qytetarët që ndodheshin në plazh të largohen.
Banorët thonë se kjo hapësirë është përdorur prej vitesh si një nga zonat e pakta të lira për pushuesit dhe familjet e zonës, ndërsa ndërhyrja e sotme ka ngritur pikëpyetje mbi statusin e saj.
“Na hoqën çadrat dhe na larguan nga plazhi. Tani na është thënë se toka ka pronar privat dhe se hapësira nuk mund të përdoret më si plazh publik”, shprehen qytetarët.
Sipas tyre, zona ka qenë prej kohësh e aksesueshme për publikun dhe ka shërbyer si plazh i lirë për banorët dhe turistët që frekuentojnë Shëngjinin gjatë sezonit veror.
Qytetarët kërkojnë reagim dhe sqarime nga institucionet përgjegjëse për të kuptuar nëse bëhet fjalë për një pronë private apo për një hapësirë publike që ka qenë në përdorim të komunitetit prej vitesh.
Po ashtu, ata kërkojnë verifikimin e ligjshmërisë së ndërhyrjes dhe transparencë mbi statusin juridik të kësaj zone bregdetare, duke theksuar se humbja e një prej pak hapësirave të lira në plazh do të ndikonte drejtpërdrejt te banorët dhe pushuesit që e frekuentojnë çdo vit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



