Mercenarët e grupit Wagner i afrohen Moskës
Pas orësh të tëra luftime brenda territorit rus, duket se mercenarët e grupit Wagner i janë afruar Moskës.

BBC ka ndarë pamje nga autokolona e trupave të Grupit Wagner, teksa po i afrohet Moskës. Automjetet e armatosura janë filmuar teksa udhëtojnë në autostradën M4, e cila lidh Voronezhin dhe Moskën përmes rajonit të Lipetsk.

Gjithashtu ka raportime se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të jetë larguar nga Moska. Guvernatori i rajonit të Lipetsk u ka kërkuar banorëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet, qoftë me automjete publike apo me transport publik.
Autoritetet rajonale në Lipetsk kanë thënë se të gjitha shërbimet e autobusëve në rajon janë anuluar deri në një njoftim tjetër.
Voronezh është një nga dy qytetet, tjetri është Rostov-on-Don, më në jug, në të cilin mercenarët e Ëagner thuhet se kanë kapur vendet kryesore.
Trazirat nisën gjatë ditës së sotme, kur sipas mediave të huaja, trupat e Prigozhin hynë në Rusi dhe Prigozhin pretendoi marrjen në zotërim të dy qyteteve.
Prigozhin tha se ka kapur “të gjitha objektet ushtarake” në qytetin jugor të Rostov-on-Don. Njoftimi erdhi disa orë pasi ai kërcënoi se do të rrëzonte ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu. Presidenti Vladimir Putin tha se kjo ishte “një thikë pas shpine” dhe u zotua të ndëshkojë ata që e kishin “tradhtuar” Rusinë. Putin pranoi se situata në Rostov mbetet e vështirë, ndërkohë që në Moskë janë futur në fuqi masa të forta sigurie. Në përgjigjen e tij, Prigozhin tha se trupat e tij ishin “patriotë të atdheut” dhe presidenti Putin ishte “thellësisht i gabuar” kur fliste për tradhti. Kujtojmë se Grupi Wagner është një ushtri private mercenarësh që ka luftuar përkrah ushtrisë së rregullt ruse në Ukrainë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



