3 vëllezërit nga Tropoja që fshihen pas call-center-ave, u zhdukën
Zhvatën qindra italianë, kush janë 3 vëllezërit nga Tropoja që fshihen pas call-center-ave – roli i “Almës” dhe i “Giorgios”
Dhjetë persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim në kuadër të një hetimi të përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve italiane, për mashtrime financiare të kryera përmes call-center-ave që operonin në Tiranë.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se pas këtyre call-center-ave dyshohet se qëndrojnë tre vëllezër nga Tropoja, të cilët nuk janë gjetur gjatë kontrolleve dhe ka dyshime se ndodhen jashtë vendit
Tre vëllezër, Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, kamufluar me kompaninë Infinite, janë në fokus të operacionit të madh të SPAK-ut dhe BKH-së, koordinuar me autoritetet italiane, zhvilluar mbrëmjen e së premtes në Tiranë, duke çuar në arrestimin e 12 personave, por jo të kokave të mashtrimit të qytetarëve Evropianë me call centera. Mbetet për t’u parë nëse tre bosët e call centerave kanë lidhje me 29-vjeçarin, David Prendi, pronar dhe administrator i kompanisë së call centerave Infinite me zyra qëndrore tek kulla Alban Tower Tirana.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan kompjuterë dhe portofole kriptomonedhash, të cilat dyshohet se lidhen me mashtrimin e qytetarëve të Bashkimit Europian. Hetimet në Shqipëri po ndiqen nga prokurori i SPAK, Ened Nakuçi dhe një prokuror i huaj.
Mësohet se ky grup përdorte një skemë të mirë menduar për të humbur gjurmët, duke ndërruar herë pas herë ambientet me qira ku ushtronte aktivitetin e paligjshëm.
Skema bazohet në telefonata që premtojnë fitime të lehta dhe platforma dixhitale që simulojnë investime në situata të cilat në fakt nuk ekzistojnë. Përmes rrëfimit të një burimi të brendshëm, u gjurmuan nivelet më të larta të organizatës, duke përfshirë identifikimin e personit përgjegjës për rekrutimin e personelit të qendrave të thirrjeve në Shqipëri.
Konkretisht operatorët kërkojnë një investim fillestar prej 250 eurosh, për të investuar në aksione. Kur qytetarët pranojnë të bëjnë investimin fillestar, atyre ju lejohet aksesi në një ëebsajt ku ju shfaqet një shumë prej 50 mijë eurosh, që u prezantohet nga operatori si llogaria e tyre personale.
Kur qytetari vendos të tërheqë paratë, në sistem u shkruhet se duhet të kryejnë një transfertë të re për të bërë të mundur tërheqjen e fondeve. Në këtë mënyrë shuma që u vidhej qytetarëve shumëfishohej, derisa ata e kuptonin se nuk do të mund t’i marrin kurrë paratë e tyre. Autoritetet kanë zbuluar gjurmë të personave përgjegjës për vjedhjet, gjurmë të cilat i kanë sjellë edhe në Shqipëri.
Mbrëmjen e djeshme, prokurorë të SPAK dhe oficerë të Byroja Kombëtare e Hetimit kanë zhvilluar rreth 6 kontrolle në zona të ndryshme të kryeqytetit, në kuadër të nisjes së hetimit për mashtrime financiare ndaj qytetarëve të Bashkimit Europian, kryesisht shtetas italianë.
Sipas burimeve, në skemë dyshohet të jetë i përfshirë një shtetas i quajtur “Giorgio”, i menduar si shtetas italian, i cili luante rolin e “konsulentit financiar”, duke mashtruar viktimat. Po ashtu, një shtetase e quajtur “Alma”, e dyshuar si shqiptare, kishte rolin e drejtoreshës së qendrës së thirrjeve. Një tjetër shtetas, ende i paidentifikuar nga prokuroria, dyshohet se është italian dhe ushtronte rolin e analistit të grupit kriminal.
Kontrollet janë kryer në zonat e Saukut, Astirit, Freskut, Laprakës, si dhe në qendrën e biznesit “4Ever Green Tower”, përballë Kisha Ortodokse e Tiranës.
Gjatë aksionit janë sekuestruar kompjuterë dhe materiale dokumentare, që dyshohet se lidhen me aktivitetin e paligjshëm të mashtrimit financiar. Hetimi po ndiqet në bashkëpunim me një prokuror të huaj dhe një prokuror shqiptar, ndërsa detaje të tjera priten në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



