E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
300 mijë pelegrinë drejt malit të Tomorrit
Lajme

300 mijë pelegrinë drejt malit të Tomorrit

Nis pelegrinazhi në malin e Tomorrit, Festa e Shenjtë e Bektashinjve, që mbledh çdo vit në Teqenë e Kulmakut mbi 300 mijë pelegrinë. Dita e diel shënoi zyrtarisht nisjen e pelegrinazhit drejt malit të Tomorrit, ndërkohë që prej ditës së hënë kanë filluar lëvizjet e automjeteve dhe pelegrinëve drejt malit, për t’u bërë pjesë e këtij pelegrinazhi.

Të parët që janë vendosur në malin e shenjtë të bektashinjve janë barinjtë e fshatrave të Skraparit, të cilët ofrojnë për pelegrinët kurbanët e festës, “qengjat”, që janë dhe personifikimi i kësaj feste të veçantë.

Teqeja e Kulmakut është përgatitur dhe ka hapur dyert disa ditë më parë për të pritur pelegrinët që do të bëhen pjesë e kësaj feste si dhe janë marrë të gjitha masat që në malin e Tomorrit të mos mungojnë çadrat për ta, banjat, ndriçimi dhe uji i pijshëm. Përveç pranisë së rreth 100 forcave të Policisë, për 5 ditët e pelegrinazhit në Kulmak janë dërguar stafe mjekësore, ambulanca e zjarrfikëse.

pelegrine

Edhe pse rrugët që të çojnë drejt malit të Tomorrit janë 3, Berat-Poliçan-Pronovik-Novaj–Teqe; Poliçan– Bogovë-Teqe dhe Berat-Skrapar-Gjerbës-Kulmak, këshillohet që pelegrinët të ndjekin rrugën Berat-Çorovodë-Gjerbës-Kulmak, që, edhe pse është rruga më e gjatë drejt Teqesë së Abaz Aliut, është rruga më e sigurt për qarkullimin e automjeteve sepse 2 akset e tjera e sidomos aksi Pronovik-Novaj-Teqe është një aks problematik që paraqet vështirësi në kalim, sidomos për qarkullimin e automjeteve të vogla (autoveturave), pasi është një aks rrugor që është hapur vitet e fundit dhe nuk ka parametrat e duhura për të qarkulluar në të.

Mali i Tomorrit konsiderohet mal i i shenjtë, pasi në të prehet shenjtori i familjes së profetit Muhamed, Abaz Aliu. Mali i Tomorrit pushtohet gjatë 5 ditëve të pelegrinazhit nga rreth 400 mijë pelegrinë nga Shqipëria, diaspora dhe mbarë bota, të cilët udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut për të kremtuar Festën e Baba Tomorrit nën ritmet fetare të bektashinjve, pavarësisht besimeve fetare që u përkasin.

Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë, duke kryer jo vetëm kurbanin e festës, por duke ngjitur me këmbë edhe majën e malit të Tomorrit, i cili ndodhet 2416 metra mbi nivelin e detit. Gjatë 5 ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin falet për shëndet, mirësi e paqe në familjet e tyre.

Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, në shenjë mirësie, bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen. Ditët e pelegrinazhit në malin e Tomorrit përfundojnë në 25 gusht, por kulmi i kësaj feste arrin në datën 23 gusht.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.