E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
32 vite ‘errësirë’, mësuesja: Nuk shikoj me sy, por …
Lajme

32 vite ‘errësirë’, mësuesja: Nuk shikoj me sy, por …

“Nuk shikoj me sy, por me mendje dhe shpirt.”

Kjo është motoja e Florentina Bejdullaj e cila ka humbur shikimin në moshën 5-vjeçare. Ajo tregon jetën e saj në 32 vite ‘errësirë’, punën e saj si mësuese dhe dëshirat që ka për të ardhmen.

Florentina shprehet se nuk mund ta kuptonte se çfare i kishte ndodhur, ndërkohë që tregon vuajtjet që hasën prindërit prej problemit të saj.

Pas hapjes së kufijve, në vitin `91 familja e saj emigroi në Greqi në kërkim të mjekëve më të mirë për rikthimin e shikimit të së bijës.

Pas 23 viteve në emigracion, ajo dhe familja e saj vendosën që të ktheheshin në Shqipëri. Prej 5 vitesh 37-vjeçarja jeton në Tiranë ku ka mundur të integrohet. Ajo punon si mësuese e gjuhës dhe letërsisë greke pranë një shkolle private. Për mikrofonin tonë ajo thekson se ka vështirësi të mëdha, pothuajse e ka të pamundur të lëvizë vetëm. Infrastruktura, ndryshe nga ajo në Greqi, në vendin tonë pothuajse mungon fare.

Fatkeqësisht në kryeqytet janë vetëm dy rrugë që kanë sinjalistikën e nevojshme për personat e verbër. Një segment i unazës së Vogël si dhe rruga mbrapa Muzeut Kombëtar.

Florentina ka një karakter të fortë, mungesa e shikimit për të nuk është pengesë.

Një vit më parë ajo ka mbaruar studimet doktorale. Në ndihmë të të verbërve ajo ka shkruar dhe një libër të cilin e nis me kryefjalën e saj që e ka shoqëruar deri më tani: ”Nuk shikoj me sy, por me mendje dhe shpirt.”

Dëshira e saj më e madhe është që të punojë për integrimin e fëmijëve të verbër për një arsim gjithë përfshirës. Edhe pse ka aplikuar në shumë institucione shtetërore, ende nuk ka marrë një përgjigje pozitive. Florentina nuk është rasti i vetëm që ndesh me problemet që hasin të verbërit. Ajo i bën apel institucioneve shtetërore që të bëjnë sado pak për këta njerëz që dhe ata të ndihen të barabartë me këdo.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.