33 masa sigurie për çështjen e mbetjeve të Kurumit
Operacion paralel në Tiranë dhe Durrës
Dosja e mbetjeve të rrezikshme: 33 masa sigurie për skemën “Kurum–Porti i Durrësit”
Mbi 2,800 ton mbetje të rrezikshme të dala nga furnaltat e Kurum International u nisën drejt Tajlandës me dokumente të falsifikuara, duke zbuluar – sipas Prokurorisë së Durrësit – një zinxhir dështimesh shtetërore dhe bashkëpunimi privat në atë që cilësohet si krimi mjedisor më i rëndë i dekadave të fundit.
Ekspertiza italiane i klasifikon mbetjet si pluhur furre elektrike çeliku (EAFD) – material i rrezikshëm me përmbajtje të lartë zinku e hekuri, si dhe metale të tjera të rënda. Alarmet ndërkombëtare u ngritën që në 2024 nga “Basel Action Network”.
Si funksionoi skema
Sipas hetimit, Sokolaj shpk dhe Kurum maskuan natyrën e mbetjeve si “oksid hekuri” apo “oksid zinku”, për të shmangur ndalimet ligjore. Pavarësisht refuzimit të autorizimit për eksport, u realizuan të paktën katër dërgesa (102 konteinerë vetëm në korrik 2024). Në sfond del edhe një qark transaksionesh përmes një shoqërie kroate të lidhur me të njëjtët përfitues.
Prokuroria dyshon edhe pastrim parash: në vend që të paguhej për asgjësimin e mbetjeve, ato u shitën jashtë vendit me fitime të paligjshme.
Hallkat shtetërore nën akuzë
Hetimi përfshin zyrtarë të Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Dogana e Durrësit, inspektorë të Autoritetit Portual dhe drejtues të koncesionarit të terminalit lindor, EMS Albanian Port Operator, për shpërdorim detyre dhe lejim të paligjshëm të qarkullimit të mbetjeve.
Gjykata e Durrësit ka caktuar 33 masa sigurie: 26 “arrest me burg” dhe 7 “arrest shtëpie”.
Emrat sipas masave të sigurisë
Arrest me burg
- Erdal Demir – Administrator, Kurum
- Yusuf Sezai Kurum – Administrator me prokurë, Kurum
- Gjovana Sokolaj – Pronare, Sokolaj
- Doni Sokolaj – Administrator, GS Minerals d.o.o
- Oliziana Pemati – Ish-administratore, Sokolaj
- Mujo Ilazaj – Drejtor Transporti, Kurum
- Rami Bunga – Specialist mjedisi, Kurum
- Harun Sarica – Drejtor prodhimi çeliku, Kurum
- Arif Shkalla – Drejtues, Kurum
- Shaban Hyseni – Drejtor shitjesh, Kurum
- Mikail Hila – Aksioner, Joti Spedition
- Mbarime Koroci – Aksionere, Alliance Resource
- Nazif Bajrami – Pronar, Bajrami N
- Andon Prifti – Administrator, Bajrami N
- Petrit Qosja – Tregtar mbetjesh
- Julian Kapedani – Dogana Durrës
- Indrit Likaj – Dogana Durrës
- Helidon Lila – Dogana Durrës
- Edmond Voda – Dogana Durrës
- Shkëlqim Jakupi – Dogana Durrës
- Florian Çimo – Administrator, EMS APO
- Gazmend Sina – Punonjës, EMS APO
- Ingo Hesse – Administrator, EMS APO
- Dritan Seferaj – AKM, Inspektim-Kontroll
- Kejdi Ahmetaj – AKM, Inspektim
- Xhulio Golgota – Inspektor, Autoriteti Portual Durrës
Arrest shtëpie
- Mirjeta Zotaj – Kontabiliste, Sokolaj
- Arta Dollani – Ish-Drejtoreshë e Përgjithshme, AKM
- Marjeta Përlala – Drejtoreshë aktuale, AKM
- Kledina Skendo – AKM, Monitorim Lejesh
- Bujana Tonçiça – AKM, Leje Mjedisore
- Evis Mellonashi – AKM, Leje Mjedisore
- Iva Musa – Inspektore, Autoriteti Portual Durrës
Publik.al do të vijojë me dokumente dhe detaje të reja mbi përgjegjësitë institucionale dhe rrjedhën e transaksioneve ndërkombëtare që çuan mbetjet nga Elbasani në portin e Durrësit dhe më tej drejt Azisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



