40-vjeçar humb jetën në spital, nis hetimi për dy mjekët neurologë
Një 40-vjeçar ka ndërruar jetë pas trajtimit fillestar në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ndërsa dy mjekë neurologë janë vënë nën hetim në gjendje të lirë.
Në hetim janë marrë mjekët G.N., 53 vjeç, dhe D.U., 68 vjeçe, të cilët dyshohen për veprat penale “Mjekim i pakujdesshëm” dhe “Shpërdorim detyre”.
Sipas hetimeve paraprake, autoritetet po verifikojnë nëse gjatë qëndrimit të 40-vjeçarit në Spitalin Rajonal të Shkodrës ka pasur neglizhencë në trajtimin mjekësor apo në ndjekjen e gjendjes së tij shëndetësore.
Pas trajtimit fillestar në Shkodër, pacienti është transportuar drejt QSUT “Nënë Tereza” në Tiranë, ku iu dha ndihmë e specializuar. Pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, 40-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë.
Tashmë hetimet janë përqendruar te mënyra se si është trajtuar pacienti në Spitalin e Shkodrës. Autoritetet pritet të përcaktojnë nëse ka pasur neglizhencë profesionale dhe nëse ndonjë veprim apo mosveprim gjatë trajtimit të tij ka ndikuar në pasojën fatale.
Hetimi vijon për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësinë eventuale të personave nën hetim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



