E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
46 sekondat e fundit vendimtare të Maduros në Venezuelë
Bota

46 sekondat e fundit vendimtare të Maduros në Venezuelë

Operacioni sekret për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, i koduar me emrin “Maduro Out”, kishte nisur që në verën e kaluar, kur Donald Trump autorizoi CIA-n të ndërmerrte aksione të fshehta brenda territorit venezuelian. Objektivi ishte i qartë: monitorimi i vazhdueshëm i lëvizjeve të liderit venezuelian, analizimi i bazave të tij të mbështetjes dhe çmontimi i rrjetit të sigurisë që e rrethonte.

Agjentët amerikanë vepruan në heshtje absolute, duke kombinuar infiltrimin klasik me teknologji të avancuar, përfshirë përdorimin e dronëve dhe mjeteve të sofistikuara të zbulimit. Paralelisht, sipas burimeve amerikane, u kërkua edhe bashkëpunim brenda strukturave ushtarake venezueliane, pasi konsiderohej praktikisht e pamundur realizimi i një operacioni të tillë pa mbështetje të brendshme në një shtet me masa ekstreme sigurie.

Në të njëjtën kohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvillonte negociata të fshehta me figura kyçe të regjimit në Karakas. Vetë Rubio ka konfirmuar se i ka ofruar më shumë se një herë Maduro-s një “rrugëdalje”, pa sqaruar publikisht përmbajtjen e këtyre ofertave. Mbetet e paqartë nëse Uashingtoni ishte i gatshëm t’i garantonte një largim pa ndjekje penale në SHBA.

Pas dështimit të negociatave, ekipi politik i administratës Trump – i përbërë nga Rubio, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe këshilltari për Sigurinë Kombëtare Stephen Miller – në bashkëpunim me udhëheqjen ushtarake amerikane të drejtuar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm Dan Caine, finalizoi planin për ndërhyrje ushtarake. Trump e miratoi operacionin katër ditë pas Krishtlindjeve, por për shkak të kushteve të pafavorshme të motit u vendos të pritej momenti optimal.

Ora e nisjes së operacionit u aktivizua në orën 22:46 të së premtes, 2 janar, sipas orës së Uashingtonit. Në aksion u përfshinë forcat e marinës, aviacioni dhe veçanërisht njësitë elitare kundër terrorizmit Delta Force. Më shumë se 150 mjete ajrore u angazhuan nga rreth 20 baza ushtarake dhe aeroplanmbajtëse, përfshirë avionë luftarakë F-35, bombardues B-1, dronë dhe helikopterë sulmues.

Operacioni zgjati 46 sekonda; nga bastisja në dhomën e gjumit te

Gjatë natës, avionët amerikanë goditën disa objektiva strategjikë në Karakas dhe zonat përreth, përfshirë portin La Guaira, aeroportin Higuerote dhe bazën ushtarake La Carlota. Objektivi kryesor mbetej kompleksi ushtarak Fuerte Tiuna, ku ndodhej Maduro së bashku me bashkëshorten e tij, Cilia Flores.

Pasi u neutralizua mbrojtja ajrore, helikopterët Apache transportuan njësitë Delta Force drejt kompleksit. Në orën 02:01 të mëngjesit, sipas orës lokale, forcat speciale hynë në perimetër, ndërprenë energjinë elektrike dhe depërtuan në ndërtesë. Sipas deklarimeve të Trump, pati përplasje të forta, por deri më tani nuk ka të dhëna të konfirmuara për viktima nga pala venezueliane.

Maduro dhe bashkëshortja e tij ndodheshin në katin përdhes. Brenda vetëm 46 sekondash, forcat speciale arritën në dhomën e gjumit. Maduro tentoi të largohej drejt një dhome të blinduar, por u ndal pas pak hapash. Ai u arrestua dhe iu vendosën prangat, ndërsa agjentë të FBI-së i komunikuan urdhrin e arrestit të lëshuar nga gjykatat federale të Nju Jorkut. Sipas Rubio-s, operacioni nuk përbënte “një akt lufte”, por zbatim të drejtpërdrejtë të një vendimi gjyqësor amerikan.

Faza më delikate ishte largimi nga territori venezuelian. Maduro dhe bashkëshortja e tij u transportuan me helikopter drejt një aeroplanmbajtëseje amerikane në ujërat pranë bregdetit. Në orën 04:29, helikopterët u ulën në kuvertën e anijes luftarake amerikane “USS Iwo Jima”.

Pas përfundimit të operacionit, Donald Trump publikoi një fotografi të Maduro-s të prangosur, i veshur me tuta gri dhe me syze të mëdha dielli, një imazh që u interpretua si një mesazh simbolik i fitores dhe rrëzimit përfundimtar të liderit venezuelian.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.