E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Loja e Pushtetit
Publik News

Loja e Pushtetit

ERl Kodra

Ju lutem përpiquni të ndërtoni fabulën e asaj çfarë ka ndodhur këtu që prej vitit 2013; një aleancë politike themelohet pas një darke të papritur mes dy personazheve më të lakuar në skenën politike shqiptare të këtyre 20 e ca viteve të fundit; Edi Rama dhe Ilir Meta nënshkruajn një marrëveshje për aleancë para dhe pas zgjedhore. Zgjedhjet zhvillohen dhe mbi “1 milion shuplaka” e hodhën përtokë qeverinë e Partisë Demokratike.

Në një botë ideale, kjo do të ishte gjëja më normale, por duke patur në vëmendje luftën e paprinciptë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, deri edhe me viktima në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, kjo marrëveshje u ka lënë një shije të pështirë të gjithëve. Por ata fituan zgjedhjet, sepse me sa duket, tek ne shqiptarët është zhvilluar një shqisë e re mbijetese; ne bëjmë kompromise, në të shumtën e rasteve të detyruar nga rrethanat dhe nevojat tona tejet njerëzore. Në këto rrethana, një pjesë e votuesve, për arsye pragmatiste braktisën Partinë Demokratike duke u rrjeshtuar me fituesen LSI.

Kjo ishte lëvizja më e zgjuar e Edi Ramës që u shpërblye me pushtetin politik, që tek ne përkthehet në pushtet të pakufishëm ekonomik dhe jo vetëm. Por kjo është një histori tjetër, që unë vetëm desha ta citoj si fillim për historinë që do të tregoj më poshtë, një histori që kurrë nuk u tregua ashtu siç duhet, por u deformua dhe u keqtregua nga të gjithë protagonistët politik të kësaj historie. Një histori që mund të përmblidhet me dy fjalë:

Games of Thrones

Pushteti është loja e përjetshme, dhe si e tillë, ajo është një lojë pa skrupuj dhe rregulla. Rregulli i vetëm është se “Games of Thrones” nuk ka asnjë moral. Edhe “Games of Thrones” e Tiranës politike nuk bën përjashtim, por tashmë, në një botë globale dhe tejet komplekse si kjo e sotmja, veçanarisht pas viteve 90, “loja” jonë për pushtet politik dhe derivate të tij, është e mbushur me punë të pista dhe të zeza. Loja për pushtet nuk përjashton dhe nuk injoron asnjë individ, aktor, faktor, organizatë, shoqatë, biznes të bardhë ose të zi, kriminel ose persona me mungesa të theksuara morale; ajo përdoron gjithçka që lëvizë në funksion të saj. Në këtë kuptim, dhe produkt i qëllimit final për pushtet politik, dikush, diku në botën globale që jetojmë, përzgjodhi Edi Ramën shumë kohë më parë, e përgatiti, e sponsorizoi, e paketoi dhe e solli në Tiranën tonë. Edi Rama, ishte njeriu i duhur dhe i gatshëm për të bërë kompromise të turpshme, të padenja për një burrë, por edhe të paligjshme, në funksion të tre nevojave të tij më të ethshme; Pushtet, Para dhe Famë. Për këtë arsye, me sa duket ky është “i përzgjedhuri” i një plaku miliarder amerikan, që ka vendosur të luaj rëndshëm në skenën politike botërore duke përdorur paranë dhe ndikimin e tij. George Soros sot nuk është një teori konspiracioni, por është faktor, aktor dhe protagonist në shumë zhvillime në politikën amerikane dhe globale. Këtë fakt nuk duan ta pranojnë dy kategori; ata që nuk duan t’ia dinë për zhvillimet politike ose që nuk i kuptojnë ato, dhe vetë ushtria e demagogëve që punon për plakun Soros, që gjithë ditën këpusin broçkulla për “Shoqëri të Hapur” dhe “të drejta” teorike pa thelb.

Ju lutem edhe njëherë të këni vëmendjen e duhur, sepse skena e dramës tonë po konturohet pas perdes. Edi Rama sapo ka marrë pushtetin politik, ndërsa në krah ka një armik të betuar. Në pozitat e tjera të shtetit kryesor politik të shqiptarve në Ballkan ndodhen personazhe të tjerë, ku e ku më me integritet dhe me skrupuj, që jo lehtë mund të kapërdijnë ose të pranojnë “ofertat” bujare të kupave të mbushura me helm nga Edi Rama. Përballë ka Partinë Demokratike që po ia nxinë jetën me denoncimet për kriminelët e Ramës në Parlament. “Aleanca e Qelbësirave” ka mbledhur llumin e shoqërisë shqiptare për të mundur Partinë Demokratike dhe Sali Berishën. President është Bujar Nishani, një burrë me moral të lartë, trim dhe i zgjuar, ndërsa Prokuror i Përgjithshëm është Adriatik Llalla. Pa fjalë, deri sot në këtë moment, nuk ka asnjë akuzë zyrtare, një fakt ose provë, një indicie sado të vogël se Adriatik Llalla është i përfshirë ose ka kryer një vepër te vetme korrupsioni. Por, megjithatë, kjo nuk e ka penguar aspak Ambasadorin Donald Lu që ta sulmojë atë hapur, me një gjuhë të ashpër të padenjë për një diplomat.

Të qartësohemi pak se ku jemi; “reformatori” i madh Edi Rama ka hapur disa fronte njëherësh, sepse ai nuk ka ndërmend të qeverisë punët e Shqipërisë, por punët e veta; puna e parë janë Partneriteti Publik Privat, një formulë që i siguron para të mjaftueshme njerëzve afër tij, jo vetëm për tani, por edhe për vitet që do të vijnë, me kontrata 5, 10 ose më shumë vjeçare. Puna e dytë është lufta e ndyrë kundër opozitës, duke u përpjekur ta shkatërroj totalisht atë. Puna e tretë është droga dhe menaxhimi i saj me anë të Ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Puna tjetër është propoganda dhe demagogjia, të cilën e zotëron shumë mirë, edhe me ndihmën e pakursyer të George Soros që punon fort me faktorin ndërkombëtar, ku Edi Rama është shpallur Reformatori i Madh dhe Lideri i Rajonit. Është koha kur George Soros de fakto drejton Departamentin Amerikan të Shtetit nëpërmjet Hillary Clinton, ndërsa në Tiranë ka mbërritur Ambasadori Donald Lu. Loja ka filluar, tashmë për ta blinduar pushtetin politik dhe ekonomik, nëpërmjet kapjes reale të shtetit. Në këtë frymë fillon Reforma në Drejtësi, që në thelb është seria më e ndyrë e “Games of Thrones” të Tiranës politike.

Maskarada e pacipë ka plasur sheshit, dhe lufta për kontrollin e saj nuk njeh më asnjë normë morale. Donald Lu është kthyer në Ministrin pa Portofol të Edi Ramës, ndërsa Romana Vlahutin plotëson skenën e musical-it me kurtizane që po luhet në Tiranë. Asnjë fjalë për korrupsionin e Edi Ramës me PPP-të, asnjë fjalë për drogën që mbuloi Shqipërinë, asnjë fjalë për vjedhjen e votës dhe aksionet reformuese të qeverisë që për ironi burgosin vetëm të pamundurit. Asnjë fjalë për qindra mijëra shqiptarët që po e braktisin vendin. Asnjë fjalë, asnjë zë, por vetëm fjalë dhe zhurmë pa fund për “Reformën në Drejtësi”.

Seria e “Games of Thrones” për Reformën në Drejtësi është në zhvillim e sipër. Ngjarje të rëndësishme dhe plot mbresa këto ditë dhe në muajt që do të vijnë do të lëkundin ndenjat e shqiptarve. Armiku i parë, ish Numri 3 në hierarkinë e Shtetit Shqiptar, është shpallur. Letrat u gatuan në Tiranë dhe hakmarrja e pastër erdhi. Super i Korruptuari u gjet, paçka se për Adriatik Lallën nuk ka asnjë fakt ose gjysëm fakti për korrupsionin e tij. Madje për këtë burrë edhe shpifjet kanë ardhur vetëm nga njerëz që gjithmonë janë përdorur për punë shpifjesh; si Mero Baze, Blendi Mane dhe i rrjedhuri Spartak Ngjela. Ndërkohë që shpikjet dhe improvizimet me Reformën në Drejtësi kanë kapur kulme groteske, siç është zgjedhja e Arta Markut si Prokurore e Përkohëshme e Përgjithshme, një emërtim që nuk e njeh as Kushtetuta, ndërsa KLP dhe KLGJ po krijohen me personazhe kallp, të kapur, të tredhur, me pesudonime ish spiunësh sigurimi.

Përsëri dua vëmendjen tuaj ju lutem; sepse asgjë nuk dua që t’u ikë nga arsyetimi im; Saimir Tahiri është kapur si organizator dhe trafikant droge nga Antimafia Italiane, por Edi Rama nuk e dorëzon, ndërsa Donald Lu bën paralelizma pervers duke thënë për këtë se “Ajo që dini është se në komunizëm, Shqipëria kishte problemin e turpshëm të udhëheqësve komunistë që dërgonin njerëz të pafajshëm në burgjet më të tmerrshme: në Spaç, në Burrel dhe në Qafë Bar” dhe më tej se “Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm”… O kohë, o moral! Të bësh paralelizma me atë çfarë ka bërë komunizmi në Shqipëri duke patur parasysh Saimir Tahirin… këtë mund ta bëjë vetëm Donald Lu.

Jo Don Donald, terroristi Enver Hoxha i vrau dhe i pushkatoi pa gjyq rreth 6000 shqiptar, ndërsa qindra mijëra të tjerë u dergjën në Kampet e Vdekjes në Spaç, Burrel dhe Qafë Bari. Mes tyre ishte edhe babai i Adriatik Llallës, që pasi u dënua me vdekje si Agjent i SHBA-ve nga Enver Hoxha, fati e deshi që i shpëtoi litarit, dhe kështu pati shansin të vinte në jetë i biri i tij, Adriatik Llalla pra, që ti ta shpallësh armik të SHBA-ve, nën kujdesin tënd të posaçëm, për korrupsion hipotetik, pa prova, pa fakte, pa asgjë prej gjëje. Nuk e di, por në këtë moment më vjen në mendje një pyetje, e cila më mundon;

A ka lidhje kjo që i ndodhi ish Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla me Bankers Petrolium dhe me Ju? Sepse, megjithse nuk dua ta besoj, pikërisht këtë ka deklaruar në një konferecë shtypi Z. Llalla, gjë të cilën e konfiromoi edhe në intervistën e tij për Samuel Rubenfeld i The Wall Street Journal?

Tashmë skena e “Games of Thrones” është bërë kaotike. Ndyrësi, poshtërsi dhe perversitete kanë plasur sheshit. Por për ta ilustruar më mirë këtë situatë, po citoj autoren e mirënjohur amerikane Judith Lewis Herman, autore e “Trauma dhe Rimëkëmbja: Pasojat e Dhunës – Nga Abuzimi i Brendshëm ndaj Terrorit Politik”, e cila thotë:

“Për t’i shpëtuar llogaridhënies për krimet e tij, kryerësi i krimit bën gjithçka me fuqinë e tij për të promovuar harresën. Fshehtësia dhe heshtja janë linja e parë e mbrojtjes së kryerësit të krimit. Nëse fshehtësia dështon, kryerësi sulmon kredibilitetin e viktimës së tij. Nëse ai nuk mund ta bëjë të heshtë atë plotësisht, përpiqet të sigurojë që askush nuk e dëgjon viktimën e tij. Për këtë qëllim, ai fillon të grumbullojë një koleksion mbresëlënës me “argumente”, që nga mohimi më i ashpër deri në racionalizimin më të sofistikuar dhe elegant. Pas çdo mizorie, mund të presësh të dëgjosh të njëjtat keqardhje të parashikueshme si: nuk ka ndodhur kurrë; viktima gënjen; viktima ekzagjeron; viktima erdhi dhe deshi vetë; dhe në çdo rast, ai përpiqet të harrojë; është koha të harrojë të kaluarën dhe të shkojë përpara. Sa më i fuqishëm është kryerësi i krimit, aq më i madh është privilegji i tij për të krijuar dhe për të përcaktuar realitetin, dhe më shumë të mbizotërojnë argumentet e tij “.

Në mbyllje, mendoj se është e nevojshme të bëhet një vëzhgim dhe përkufizim i fakteve. Domethënë, e kam fjalën këtu; çdo njeri ka cilësi të mira dhe dobësi. Si i tillë ai ka kufizimet e veta. Fundja askush nuk është perfekt. Në këtë kuptim, ajo çfarë bën diferencën mes njerëzve në raport me të vertetën, në fakt është fuqia e tyre, qasja dhe skrupujt që ata kanë. Zakonisht të fortët i afrohen asaj me anë të forcës, por edhe me mjete të tjera më pak të denja për qeniet humane, siç është manipulimi i saj. Fundja, historia njerëzore është e mbushur me kurthe që njerëzit i kanë ngritur njëri tjetrit gjatë serialit “Games of Thrones”. Në SHBA me kohë ka filluar lufta mes ish Sekretares së Shtetit Hillary Clinton e mbështetur nga George Soros nga njëra anë, dhe Presidentit Donald J. Trump nga ana tjetër. Lufta nuk kursen asgjë, duke përdorur çdo mjet të mundshëm për të arritur një qëllim; Pushtetin. Kjo luftë ka Luftëtarët e saj edhe në Tiranë; Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbarë botën në ekranin e CNN se Donald J. Trump është turpi i njerëzimit. Pastaj shkoi dhe hëngri darkë tek George Soros dhe i biri. Pastaj votoi në OKB pro një Rezolute anti amerikane të sponsorizuar nga miku i tij Recep Tayyip Erdoğan. Donald Lu, përfaqsuesi i Presidentit Donald J. Trump në Tiranë nuk i kërkoi Edi Ramës që Shqipëria të mbështeste qëndrimin amerikan. Duket se SHBA-të kësaj rradhe janë megjithë mend në hall të madh me luftën e brendshme pa principe që po zhvillohet atje. George Soros ka ngritur strategjitë dhe ushtritë e tij në mbarë botën. Ai nuk tërhiqet kollaj, ndërsa ne presim me ankth se kush do të jetë fituesi i kësaj lufte. Deri tani një gjë dihet me siguri; fituesi i merr të gjitha, por ai që del gjallë dhe i fortë nga beteja.

Shënim.
Nuk e njoh Adriatik Llallën, as ai nuk më njeh mua. Me Ambasadorin Donald Lu nuk kam asgjë personale (çfarë gjëje personale mund të kisha unë me Ambasadorin Donald Lu?!). Po ashtu nuk kam asgjë personale me Edi Ramën ose ndonjë person tjetër të përmendur prej meje në këtë tekst. SHBA-të i dua ashtu siç e do shqiptari Amerikën, si mbrojtesen e saj. Thjesht, unë e dua Shqipërinë dhe shqiptarët. Urrej për vdekje terroristin Enver Hoxha. Gjithashtu urrej edhe shpifjen. Këto unë i quaj parime. Çdo intepretim tjetër të këtij teksti unë e quaj të qëllimshëm dhe të drejtuar kundër meje.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.