52-vjeçari i dënuar për vrasje ndërron jetë në burgun e Fierit
Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të martë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier, ku një i dënuar ka humbur jetën gjatë vuajtjes së dënimit.
Viktima është 52-vjeçari Artur Doku, banues në Burrel, i cili po vuante dënimin për një vrasje të kryer në vitin 1997. Sipas të dhënave, atij i kishin mbetur edhe 9 vite e 5 muaj për të shlyer nga dënimi.
Burime paraprake bëjnë me dije se i dënuari vuante nga probleme kardiake. Gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar papritur, çka ka bërë që ai të transportohej me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 52-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë në ambientet e spitalit.
Pas konstatimit të vdekjes, trupi i pajetë është dërguar në morg për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, e cila pritet të përcaktojë shkakun e saktë të humbjes së jetës.
Autoritetet kanë nisur procedurat për dokumentimin e plotë të rastit, ndërsa deri në këto momente nuk ka indikacione që ngjarja të ketë lidhje me rrethana kriminale. Hetimet vijojnë për të sqaruar çdo detaj që lidhet me këtë rast.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



