61-vjeçari prej 5 vitesh ngacmonte seksualisht fëmijët e krushkut
Ditën e sotme një 61-vjeçar nga fshati Erind në Gjirokastër ra në prangat e policisë pas një denoncimi për ngacmim seksual, ardhur nga dy familje të këtij fshati, fqinje të tij por edhe në marrëdhënie krushqie me të. Sipas familjeve autori i dyshuar besohet se ka ngacmuar tri vajza të mitura përkatësisht të moshës 7, 8 dhe 14 vjeç. Ishte fëmija 7 vjeç e cila ja ka bërë me dije e para familjes së saj dhe më pas janë inkurajuar edhe fëmijët e tjerë për të pohuar ngacmimet. Raportohet se vajza 14-vjeçare ka pohuar edhe para policisë në prani të psikologëve se ngacmohej prej gati 5 vitesh.
Ndërkohë, nga sa është mësuar nga nëna e 2 prej vajzave besohet se ato janë ngacmuar në shtëpinë e autorit që e vizitonin shpesh për shkak të lidhjeve mes familjeve, apo lojës me fëmijë të tjerë. Banesat gjenden vetëm 10 metra larg njëra-tjetrës. Nënat e fëmijëve po përpiqeshin prej 10 ditësh të mësonin më shumë nga fëmijët e tyre para se të kryenin denoncimin për pedofili. Ato kanë ngritur dyshime se edhe fëmijë të tjerë mund të jenë ngacmuar.
Ndër të tjera, raportohet se autori 61-vjeçar është vetë baba i tri fëmijëve dhe ka disa nipër e mbesa. Ai ishte emigrant në Greqi deri 6 vite më parë. Pasi është kthyer punonte privatisht si taksist me automjetin e tij. Shumë prej banorëve kanë thënë se e njihnin për njeri të rregullt dhe pa probleme, ndërsa shumë të tjerë nuk kanë pranuar ta komentojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



