69-vjeçari që u arrestua për tjetërsim të mijëra metra katror tokë në Ksamil
U la i lirë se nuk mbante mend asgjë
Tjetërsimi i 5 mijë m2 tokë me dokumente false në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit i ka kushtuar vetëm 24 ore prapa hekurave një 69-vjeçari në Sarandë. Megjithatë, prona është vënë në sekuestro preventive.
ÇFARË THOTË PROKURORIA
Prokuroria e Sarandës nëpërmjet një njoftimi ka lajmëruar se ka vendosur nën sekuestro një hapësirë toke prej 4950 m2 , e ndodhur në zonën e Ksamilit. “Ditën e sotme, më datë 22.09.2022, në kuadër të veprimeve hetimore të kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, është arrestuar shtetasi me iniciale S. O., i dyshuar për veprën penale parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.
Sipas të dhënave të deritanishme, ka dyshime se ky shtetas ka falsifikuar dokumentet e pronësisë për përfitimin në mënyrë të padrejtë të një sipërfaqe toke prej 4950 m2 , ndodhur në Ksamil, Sarandë. Në lidhje me këtë pasuri, organi i akuzës ka kërkuar sekuestron preventive, e cila është pranuar me vendim gjyqësor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
ARRESTIMI
Nga një operacion policor i koduar “Prevent”, Policia e Vlorës tha se ka arrestuar një 69-vjeçar, i cili kishte përfituar pronën në fjalë nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve.
“Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Në zbatim të këtij procedimi, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Prevent”, u bë ndalimi i shtetasit S. O., 69 vjeç, banues në Sarandë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, me pasoja të rënda. Ky shtetas dyshohet se ka tentuar të përfitojë një sipërfaqe toke truall, në Ksamil, duke aplikuar pranë ASHK Sarandë, me dokumente të falsifikuara. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u bë dhe ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi truallin me sipërfaqe 4950 metër katror, në Ksamil”, sqaroi Policia.
LIRIMI
Pak orë pasi Policia lajmëroi arrestimin e 69- vjeçarit, Skënder Omeri, i cili ka përfunduar në pranga të mërkurën, Gjykata e Sarandës i dha atij një masë më të lehtë sigurie se ajo e burgut. Prokuroria i çështjes, Kledian Llaho, gjatë seancës së zhvilluar rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, kërkoi masë sigurie “Arrest me burg”, por Gjykata nuk e mori parasysh kërkesën. Pyetjeve te prokurorit lidhur me falsifikimin e dokumenteve, 69-vjeçari i është përgjigjur: “Nuk mbaj mend asgjë”.
Avokati i tij ka kërkuar një masë më të lehtë sigurimi për shkak të moshës, gjë që nuk është pranuar nga Prokurori por në përfundim të seancës ka qenë gjyqtari Alban Veçani ai qe ka lënë të lirë Omerin me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Omeri akuzohet për “falsifikim i dokumenteve” në formën e përdorimit dhe me pasoja të rënda lidhur me një truall 4950 m2 në bregdetin e Ksamilit, të cilin ka tentuar ta regjistrojë në ASHK Sarandë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



