E premte, 16 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Hapja e negociatave?! E kujt i duhet…
Publik News

Hapja e negociatave?! E kujt i duhet…

Mendoj se Shqiptarëve, të mëdhenj e të vegjël, ka kohë që nuk i plas fare se vendet Europiane nuk i hapin negociatat Qeverisë shqiptare, që Shqipëria, atdheu i tyre të bëhet anëtare e Bashkimit Europian!

Shqiptarët, dukshëm, e kanë marrë në dorë vetë proçesin e integrimit. Axhenda e tyre Europiane nuk është më integrimi qeveritar, por integrimi qytetar në Europë. Ata vetë në këto 28 vjet po bëhen qytetarë të vendeve të ndryshme të Europës duke kryer sakrifica të panumërta individuale dhe familjare – eksode masive, azil, martesa, emigracion legal dhe ilegal, bashkime familjare, investime personale në vende të BE-se, apo metoda të tjera të paimagjinueshme, që u japin atyre pashaportën e një vendi europian. Po e bëjne këtë me metoda artizanale, jo institucionale, sepse këto të fundit kanë axhendë tjetër. Po e bëjnë këtë heshturazi, por me këmbënguljen e pikës së ujit. Pa dhënë konferenca për shtyp, apo mbajtur fjalime në Parlament!

Shqiptarët po bëhen qytetarë Europianë me një ritëm shumë të lartë, dhjetëra herë më të lartë sesa ritmi që liderët europianë, dhe/ose burokratët e Komisionit të BE imagjinojnë, apo skemat individuale apo rajonale që ata kanë në plan për hyrjen e Shqipërisë në BE. Kjo nuk ka gjasa të ndalet, por vetëm të përshpejtohet.

Shqiptarët po bëhen qytetarë Europianë me një ritëm 100 fish më të lartë sesa kukamshefti i Qeverive dhe Parlamentit shqiptar me sistemin e vlerave mbi të cilin është ndërtuar Europa dhe BE. Nuk e kam fjalën vetëm për kriteret e Maastricht, por sidomos për betejën e vërtetë mes kulturës orientale që rrit pushtetin – pas të cilës jemi kapur me thonj, dhe asaj perëndimore që e zvogëlon atë – të cilës i zgërdhihemi. Betejën mes Vizionit dhe Përditshmërise, mes zorrës dhe shpirtit. Sot mendoj se Shqiptarët më shumë se varfërisë i ikin qeverisë. Është gjithnjë e më e qartë se Qeveritë mund të mbajnë peng Shqipërinë – gurët e drurët, por jo shqiptarët – zogjtë e saj. Gjithnjë e më shumë shqiptarë po i lënë pendët qeverive të tyre.

Shumë shpejt Shqiptarët do jenë Europianë, ndërsa Shqipëria jo…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.