Teatri, rezistencë sui generis kundër një ligji të paligjshëm
PREÇ ZOGAJ
Edi Rama e ka të kahershëm, rreth njëzetvjeçar, konfliktin me komunitetin e artistëve, sidomos me aktorët e Teatrit Kombëtar. Po aq të vjetër ka edhe lakminë për tokën në zemër të kryeqytetit, ku ngrihen godina e Teatrit Kombëtar (TK) dhe simotra e saj e Teatrit Eksperimental (TKE), një sipërfaqe që shkon rreth 6 mijë metra katrorë.
Mendohej se koha, mosha, velja me pushtetin nga të ushtruarit gjatë, reflektimi për disa caqe që nuk duhen prekur e kaluar- të gjitha këto e të tjera si këto- ia kishin fashitur disi impulset, kapriçot, lakmitë e fillimit. Sidomos për një territor me ndjeshmëri të lartë si ai i Teatrit Kombëtar, ku është dendësuar një histori më vete e kulturës sonë kombëtare, dinjiteti i brezave të vdekur e të gjallë të artistëve të skenës, konservatorizmi pozitiv i arkitektëve, i urbanistëve, i intelektualëve më në zë të vendit, nostalgjia dhe nderimi për traditën i mijëra e mijëra individëve të lirë me ndërgjegje qytetare të zhvilluar. Por jo. Edhe pse ishte sprapsur dy herë në të kaluarën në përpjekjen e tij për të shembur ndërtesën e TK-së me justifikimin se ishte e amortizuar, Rama nuk e paskësh nxjerrë asnjëherë nga mendja tokën e Teatrit Kombëtar. Së cilës, aty në bashki, ia kishte vënë syrin si të Gongores për të ndërtuar mbi të kulla. Në vartësi të “xhiblave” nga komuniteti i artistëve edhe një teatër të ri si aneks i kullave, një lëmoshë me ambalazhin e një dhurate. Gjatë gjithë këtyre viteve, pra, ai thjesht kishte pritur momentin, duke matur forcat me kundërshtarët e shembjes së Teatrit. Momentin e gjeti këtë vit, që përkon me fundin e të pestit dhe fillimin e të gjashtit të tij në krye të qeverisë.
Nuk e vunë asnjë çast në mendime, pale ta ndalnin, as peticionet, as tryezat, as propozimet, as grumbullimet, as protestat, as shkrimet, as argumentimet pa precedentë nga pikëpamja e numrit dhe thellësisë, që duke e ndriçuar e informuar për ngjarje dhe fakte me vlerë historike që mbase nuk i dinte, i kërkonin të hiqte dorë nga fiksimi i tij. Pa sukses, mjerisht. Përkundrazi: Sa më të thelluara erdhën duke u bërë argumentet në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, aq më shumë u pa të rritej oreksi, mllefi dhe padurimi për t’i vënë rruspat. Si për të provuar se ikonoklastëve apo, për të përdorur një fjalë në modë, talebanëve, u shijon pikërisht shkallmimi i objekteve që përmbajnë shumë histori dhe simbolika.
Por duhet ta themi se në rastin e Teatrit Kombëtar talebanizmi është pasojë, pra nuk e ka direkt me një katedrale të kujtesës, kulturës dhe artit tonë. Kryeministri me klientët e rrethit të tij të ngushtë e kanë me truallin. Godinat e dy teatrove kanë rezultuar në vendin e gabuar! Ndaj duhen shembur. Për t’u hapur rrugën kullave dhe fitimeve që vijnë prej tyre.
E vetmja sirenë që ka dëgjuar Rama me shokë gjatë këtyre muajve të debateve dhe përplasjeve për Teatrin, është ajo e Interesit që lidhet me ndërtimin e kullave. E njëjtë pak a shumë me sirenat e koncesioneve në shëndetësi që kanë dështuar për qytetarët, por jo për klientët e qeverisë që kanë marrë milionat nga buxheti i shtetit. E njëjtë gjithashtu me sirenat e incerenatorëve (djegësve të mbetjeve të pariciklueshme), që janë e do të jenë një dështim dhe një mallkim për qytetarët, por jo për klientët e qeverisë që kanë marrë e po marrin paratë.
Në fakt, ligji obskurantist për shembjen e teatrit, që u miratua javën e shkuar, e tregon më qartë se asgjë tjetër se, përtej veshjes që është rrekur t’i japë propaganda qeveritare, beteja për Teatrin, është beteja midis ortakërisë së një grushti oligarkësh politikë dhe ekonomikë në një anë dhe një komuniteti qytetarësh të lirë, artistë ose jo, në anën tjetër; është beteja midis pushtetit të parasë dhe pushtetit të artit. Një betejë e pabarabartë në rrafshin ligjor, duke qenë se ortakëria e oligarkëve ka shumicën në Kuvendin e votave të blera. E pabarabartë edhe në rrafshin etik dhe moral, duke qenë se kundërshtarët e shembjes dhe uzurpimit të truallit të Teatrit kanë të drejtën me vete dhe kjo do të provohet në shumë aula të drejtësisë dhe rezistencës, pavarësisht se për momentin qeveria i ka marrë masat të çfunksionalizojë Gjykatën Kushtetuese, njëlloj siç prishen peshoret në dogana apo radarët në kufi, kur duhet të kalojë droga dhe kontrabanda.
Interesi është fuqi ndërtuese, kjo dihet. Po të mos rregullohet e frenohet me rregulla interesi është shkatërrimtar, është çelësi i veprimeve vulgare dhe arbitrare, siç thoshte Balzaku. Veprimet që janë ndërmarrë për miratimin e ligjit që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar dhe dorëzimit të tokës kompanisë private “Fusha”, e ilustrojnë shkëlqyeshëm këtë sentencë. Nuk ka ndodhur më parë që lakmia dhe babëzia të nxitojnë të qepin shkel e shko një ligj me kaq shumë shkelje, artifica, lidhje të shkurtra, spekulime, abuzime, pikëpyetje.
Jo më kot nuk e mbrojti dhe nuk e mbron dot me argumente dhe arsyetime juridike asnjë përfaqësues i shumicës. Vetëm fjalë dhe propagandë. Deputetët e kësaj shumice votuan sikur po shkelnin nga prapa transhesë butonin e hedhjes në erë të një “çibani”, që u kishte zënë vendin kullave.
Komuniteti i artistëve, juristët që i asistojnë, opozita politike kanë argumentuar se ligji që i hap rrugë shembjes së Teatrit apo Ligji i Kullave, siç po quhet, shkel qartazi disa nene të Kushtetutës, ku spikasin neni i trashëgimisë kulturore apo ai i barazisë se shtetasve para ligjit, si dhe plot ligje të tjera organike që rregullojnë çështjet e decentralizimit dhe funksionimit të pushtetit vendor. Në ligjin e kullave paracaktohet fituesi, firma “Fusha”, që paska blerë një sipërfaqe të vogël toke rreth e rrotull teatrit dhe prandaj duhet të marrë edhe truallin e teatrit (?!), duke ofruar si peshqesh një teatër të ri; bashkisë i jepen atribute të qeverisë, Kuvendi dhe qeveria veprojnë dhe votojnë si të ishin pushtet vendor. Të gjitha këto, “për të mbaruar punë sa më parë”.
Çmimi i tokës publike që ka vënë bashkia, rreth tri herë më i ulët se çmimi i tregut, është një abuzim. Loja me sipërfaqet është një abuzim. Lista e shkeljeve dhe spekulimeve është e gjatë. Nëse do të lejohej ky precedent, ku dikush që ka blerë një copëz toke pranë një monumenti kulture apo ndërtesë publike mund të marrë të drejtën të shembë atë dhe të marrë truallin “për ta zhvilluar”, atëherë kush mund të ndalojë që nesër një “firmë e fuqishme” të lejohet të ndërtojë një kullë në vendin ku sot është ndërtesa, ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912 kundrejt zotimit të ndërtuesit për të falur një pavijon për objektet e ngjarjes historike në katin e parë të kullës! E njëjta gjë mund të thuhej për Galerinë e Arteve dhe për plot ndërtesa të tjera kësisoj. Qëllon që qeveritë të jenë arbitrare në marrjen e vendimeve të caktuara, pavarësisht nga kundërshtimet. Ligji që i hap rrugën shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit aty të një pylli me kulla, nuk ka lidhje më këtë lloj arbitrariteti. Ai është një arbitraritet sui generis. Për ta thënë popullorçe, është arbitraritet kaçakësh. Po të ishte fjala për të kënaqur një firmë siç është kjo e zotit Fusha, qeveria nuk do ta kishte bërë, nuk do të kishte shtyrë deri këtu. Numri i madh i shkeljeve, spekulimeve dhe artificave të trasha të shtyjnë të mendosh se luhet një interes shumë më i madh se interesi i një firme.
“Firmës ‘Fusha’ thjesht i është pranuar një kërkesë për zhvillimin e zonës, meqë ka një sasi toke ngjitur me Teatrin, por projekti i tij do të vlerësohet nga një komision që parashikohet në ligj dhe pastaj do të ketë garë”, nënvizojnë disa zyrtarë me qëllime të mira. Është e vërtetë se në raport me tokën e Teatrit dhe me tokën e Bashkisë aty pranë, firma “Fusha” ka një sipërfaqe të vogël. Mirë, atij i paska shkuar në mendje të zhvillojë sipërfaqen e madhe te Teatrit dhe atë të Bashkisë dhe paska bërë një kërkesë për këtë. Çudia është si është pranuar e si u shndërrua në ligj kjo kërkesë? Kjo tregon se letrat mund të jenë kopsitur, pra janë përralla këto që do të ketë garë.
Një ligj për prishjen e Teatrit do të ishte i papranueshëm, edhe po të ishte bërë duke u mbështetur qartazi në Kushtetutën e vendit.
Aq më i papranueshëm është si ligj i paligjshëm.
Akoma më shumë e demaskon këtë ligj dhe autorët e tij fakti që u miratua me procedurë të përshpejtuar, në një kohë kur nuk funksionin Gjykata Kushtetuese. Arroganca dhe arbitrariteti i qeverisë në ketë pikë synojnë kuotat e pushtetit totalitar pa asnjë lloj kontrolli.
Ky është një fakt tjetër i rëndë, që përligj një rezistencë sui generis kundër ligjit sui generis. Sakrifica është hobeja e lajmit. Opinioni i brendshëm dhe gjithë bota demokratike do të jenë apriori me forcat që luftojnë e sakrifikojnë kundër një ligji që konsiderohet thellësisht antikushtetues, por s’ka ku ankimohet. Kjo betejë do të jetë një garë me kohën gjithashtu. Nisi si një lëvizje për mbrojtjen e Teatrit- dhe do të mbetet e tillë deri në fund në thelbin e saj,- por shkoi ku e ku përtej, duke marrë trajtat e një kauzë të re popullore dhe intelektuale kundër korrupsionit, kalbëzimit, lakmisë, arrogancës, padrejtësisë, konformizmit në sistem.
Është njëlloj fati dhe oguri që pikërisht Teatrit, tempulli që historikisht ka lartësuar davidët kundër goliathëve, i ra barra dhe shorti t’i japë jetë dhe t’i prijë, pse jo, kësaj stuhie të re të shpresës për liri dhe drejtësi. E ardhmja do të vijë me shenjën e kësaj përpjekjeje fisnike. Opozita politike ka një rol të veçantë këtu. Ajo duhet të paralajmëroje që tani se, nëse do të ndërtohen kullat e një ligji që u aprovua kaçakçe kur s’kishte instancë ankimi, do të shemben.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



