E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
9 vite në arrati, kapet në Kolumbi “fantazma” shqiptare e drogës
Flash

9 vite në arrati, kapet në Kolumbi “fantazma” shqiptare e drogës

Autoritetet kolumbiane kanë arrestuar në qytetin Tunja shtetasin shqiptar Genti Krasniqi, 62 vjeç, i kërkuar prej vitesh nga Interpol dhe drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar heroine.

Sipas raportimeve të të përditshmes kolumbiane El Tiempo, të cilave i referohet edhe Top Channel, Krasniqi ishte prezantuar në vend si një turist i zakonshëm, ndërsa në të vërtetë konsiderohej një nga kapot më të rëndësishëm të drogës, në arrati që prej vitit 2016.

Ai u identifikua dhe u ndalua nga autoritetet kolumbiane pasi u paraqit në Zyrën e Emigracionit në Tunja për të kryer një procedurë administrative. Pikërisht aty, pas verifikimeve të thelluara, u zbulua se ndaj tij ekzistonte një “circular roja” (urdhër-ndërkombëtar arresti) i lëshuar nga Interpol.

Nga Milano në Tunja – Arratia shumëvjeçare e një trafikanti

Prokuroria e Milanos kishte nisur hetimet ndaj Krasniqit që në vitin 2016, kur një apartament luksoz në Milano u identifikua si bazë për fshehjen e sasive të mëdha heroine të trafikuar nga Tirana drejt Italisë. Në atë kohë, u arrestuan një grua italiane dhe një shtetas shqiptar, ndërsa Krasniqi arriti të shmangë arrestimin dhe u zhduk.

Sipas El Tiempo, ai kishte hyrë në Kolumbi që në vitin 2023 dhe kishte qëndruar në Bogotá dhe disa qytete të tjera. Lëvizja e tij drejt Tunjas besohet se lidhet me faktin se pasaporta i kishte skaduar, dhe mendonte se në një qytet më të vogël do të shmangte vëmendjen e autoriteteve.

Emri i tij përmendet në disa dosje gjyqësore në Itali, ku akuzohet si pjesë e një rrjeti kriminal të trafikut të heroinës, që përdorte edhe prostituta për transportimin e lëndës narkotike në vende të ndryshme të Evropës.

Në pritje të ekstradimit drejt Italisë

Aktualisht Genti Krasniqi ndodhet në paraburgim në Kolumbi, ndërsa autoritetet italiane pritet të dorëzojnë kërkesën zyrtare për ekstradimin e tij. Ndërkohë, autoritetet kolumbiane kanë nisur hetime për të zbuluar rrjetin mbështetës të Krasniqit në territorin e tyre dhe mënyrën sesi ai kishte hyrë në vend pa u identifikuar më parë.

Ky rast hedh dritë mbi lidhjet gjithnjë e më të ndërlikuara mes rrjeteve europiane të drogës dhe Amerikës Latine, duke theksuar rolin tërheqës të Kolumbisë si epiqendër e trafikut ndërkombëtar, ku aktualisht kultivohen mbi 250 mijë hektarë me kokainë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.