Henrik S.G, fitues për veprën letrare: Pa artin do ishim vegla pune të sistemit
“Pa artin do të ishim vegla pune të regjimit të shkuar”. Kështu do të shprehej Henrik S. G., fituesi i Çmimit Kombëtar të Letërsisë për vitin 2017, me “Një sonatë për gruan e një tjetri”.

Dje, në ambientet e “Arturbinës” u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve për letërsinë, për veprën letrare origjinale më të mirë dhe për përkthimin më të mirë, organizuar nga Ministria e Kulturës. Këtë të fundit e fitoi përkthyesja Aida Baro, për shqipërimin e një libri të jashtëzakonshëm, të një historie mbijetese që na vjen nga kampet naziste: “Armëpushimi” nga shkrimtari italian me origjinë hebreje, Primo Levi.
Juria e përbërë nga Parid Teferiçi, në cilësinë e kryetarit të jurisë dhe anëtarët: Olimbi Velaj, Agim Baçi, Alma Mile, Albert Gjoka, mori në shqyrtim gjithë prodhimtarinë letrare të vitit që shkoi. Është gati e pabesueshme që në Shqipëri, brenda një viti, të mund të botohen rreth 700 vepra letrare të autorëve shqiptarë dhe 500 nga autorë të huaj, sjellë në shqip. Nga 666 tituj, juria do të eliminonte, së pari, veprat monografike e studimore, për të kaluar titull pas titulli, fillimisht në një numër të reduktuar prej 40 veprash, për secilën kategori. Selektimi deri në listën dhjetë emërore e më tej 5, ka qenë një proces i gjatë dhe jo i thjeshtë. Në pesë veprat më të mira të letërsisë shqipe për vitin 2017 u renditën dy vëllime poetike me autore Adriatike Lamin dhe Entela Tabakun, një përmbledhje me tregime nga Kim Mehmeti dhe dy romane, ai autobiografik i Stefan Çapalikut dhe ai i Henrik S.G. Ndërsa pesë përkthyesit më të mirë u shpallën: Abedin Preza me veprën voluminoze të Ariostos, Alket Çani me një roman tronditës nga Agota Kristof, Aida Baro me Primo Levin, Bashkim Shehu me Bolanon dhe Erion Karabolli për përkthimin e një romani nga Samanta Schweblin. Siç edhe mund të shihet, gjinitë në konkurrim janë të ndryshme dhe secila mjaft e mirë në llojin e vet. Por fituesit do të ishin vetëm dy.

Pas një homazhi për poetin e ndarë nga jeta vetëm dy muaj më parë, Fatos Arapi, u prezantuan të dhjetë kandidatët. Nuk kishte nevojë për shumë publicitet, vetëm lexim të një pasazhi të shkurtër të veprës së tyre. Dhe më në fund, erdhi momenti i ndarjes së çmimeve. Kryetari i jurisë Parid Teferiçi, pas një ekspozeje të shkurtër të punës së jurisë, shpalli fituesin e Çmimit të Përkthimit: Aida Baro për përkthimin mjeshtëror të veprës së Primo Levit, “Armëpushimi”, me motivacionin: “Për besnikërinë e frymëzuar gjatë përcjelljes së një mesazhi nga shekulli tragjik i ideologjive, në shqipërimin e një dëshmie ku përjetimi në vetë të parë i çnjerëzores kthehet në përjetësim të imperativit etik të njerëzimit”.
Tepër e emocionuar, Aida Baro do të shpërndante falënderime për të gjithë ata që kanë besuar tek ajo dhe shijet e saj letrare, që nga juria për çmimin, te botuesja dhe prindërit, të cilët ajo i falënderoi e përlotur. “Armëpushimi” është dëshmia e një të mbijetuari nga kampet e shfarosjes së nazizmit. Është rruga e gjatë për në shtëpi, një odiseadë e jashtëzakonshme, ku padurimi i kthimit përzihet me përpjekjen për të mbetur gjallë.

Ndërsa fituesi i Çmimit për Veprën më të mirë letrare, u shpall nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila nuk mund të mos thoshte të sajën, të paktën për përkthimin, duke shprehur “zilinë” për pozicionin e Aida Baros dhe kënaqësinë të “zbulonte” si fitues një autor, që i ka ndenjur larg dritave të prozhektorëve. Fitues u shpall Henrik S. G. me romanin “Sonatë për gruan e një tjetri”, me motivacionin: “Për trysninë e fortë evokative të prozës së tij, e veçantë në universalitetin që shpalos, ku personazhet dhe lexuesit luhaten së bashku mes ngutit të dëshirës dhe kohës së pamjaftueshme për kujtesën”. Pas falënderimeve të rastit, autori u shpreh se “shkrimtarët kanë përgjegjësi të madhe se edukojnë brezat. Ne jemi një brez që jemi rritur me art, aq sa mundëm. Pa artin ne do të ishim vegla pune të sistemit të kaluar”.
Vepra e Henrik S. G. na rrëfen se fati i njeriut nuk njeh nacionalitet dhe shtresë klasore. Nga shtrati i një psikanalisti, në romanin e Henrik S. G. kalojnë histori, rrëfime, përjetime dhe ankthet më të fshehta të njeriut, sidomos ato me ngarkesë seksuale. Dhe paralelisht me to, zhvillohet edhe historia e vetë psikanalistit, që ashtu si shumica e pacientëve të tij
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



