Po theva këmbën e majtë votën do ia jap Lulit, po theva të djathtën votën e merr Mona…
Një burrë qëndronte sot mbi një nga urat e Lanës në Tiranë. As fliste, as ikte. Në fillim dyshova se priste rastin që t’u vidhej kalimtarëve, të zbriste nën urë dhe të bënte shurrën. Po kur e pashë më nga afër vura re se nuk ishte i atij kallëpi.
Qëndrova dhe unë. Iu afrova, me mendimin se mos e ndihmoja në hallin e tij.
Po tjetri, sikur të ma kishte lexuar mendimin, më tha:
-Ik, o plak, nuk ke takat ti të zgjidhësh hallim tim.
– Pa hë, – i thashë, me një dozë të dukshme provokimi, që, më shumë se te fjalët, fekste te shprehja e fytyrës time.
Tjetri u zbërthye menjëherë:
-Unë, or plak, kam votuar Edi Ramën. Nuk e fsheh. Po ai e dhjeu fare dhe Rilindja e tij përhap një erë më të rëndë se kjo ura këtu…
-Dhe ke ardhur ta pastrosh ti? – e ndërpreva me një ironi të dukshme, kësaj here edhe në fjalë.
-Jo! – tha.
-Atëherë ke ardhur të hidhesh nga ura? – e shtova unë dozën e ironisë.
Po sakaq u bëra serioz. Më shumë se për fatin e këtij njeriu të dëshpëruar, mendova Lali Erin, portretin e tij të vrerosur para kamerave dhe përpjekjen cfilitëse për ta kthyer edhe këtë ngarje të hidhur në qendër të kryeqytetit në një ekzibicion dhe atraksion shtesë për Tiranën.
-Tamam, plako! Si e gjete? Po jo për të vdekur, ama…
-Po hë, pra, se më ngrive gjakun, – i thashë, – se po afrohen edhe zgjedhjet vendore.
-Aty më qëndro, – tha tjetri. – Këta rilindasit na dolën të gjithë hajdutë, gënjeshtarë, të lidhur me kriminelët e trafikantët. Maskarenjtë…
– Halli nuk shan, flet, – i thashë. – Hallin më thuaj. Nuk besoj se hedhjen e bën për famë, se Ura e Lanës nuk është Ura e Bruklinit…
-Mos u tall, or plak. Edhe zotrote ka rrezik të bësh si unë po më dëgjove me vëmendje.
-Pa jepi!
-Pas zgjënjimit nga Rilindja e Ramës, do kisha ikur nga Shqipëria. Dhe nuk e lash pa ikur se më mungojnë paratë – vërtet nuk kam qindarka që të shkoj as deri në Durrës për t’u mbytur – por sepse më mundon një dilemë…
-Dilemë?
-Po, po! Dilema se për kë do votoj kësaj here. Dëgjova sot Monën që foli për revolucion. Thashë, u bëka nga e majta ky vend. Pastaj pashë Fahri Balliun Junior tek Astiri në ditën e tij të 76 të qëndresës stoike antiRamë. Thashë, u bëka edhe djathtas ky vend. Pak më vonë dolën edhe liderët e ca partiçkave që shpallën nevojën e një Poli të Tretë. Thashë, u bëka edhe nga mesi ky vend.
Vendosa ta zgjidh dilemëm akoma pa dalë në mejdan Kaubojsi se pastaj fashitet çdo gjë. Ai ua merr të gjithëve. I lezeçëm, shejtani. Nuk di pse më ngjan me atë italianin Grillo…
-Dhe atëherë?
– Vërtet nuk sakrifikoj jetën, po diçka duhet sakrifikuar. Thjesht do hidhem për të bërë një test-bast me veten.
-Po hë, mor mik,- i thashë,- se më bëre me zemër.
– Po, ja mo plak, do hidhem dhe po theva këmbën e majtë votën do ia jap Lulit, po theva të djathtën votëm e merr Mona…
– Po Poli i tretë? – e pyeta.
– Mos u tall, mo plak. Nuk kam ndërmend të thyej gjë tjetër.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




